Universiteti i Prishtinës shënon 48-vjetorin e themelimit

Prishtinë | 15 Shk 2018 | 12:43 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Me rastin e shënimit të 48-vjetorit të themelimit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, u vlerësua lartë roli dhe rezistenca e UP-së, në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Republikës së Kosovës. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se, liria dhe shteti i Kosovës janë vlera të pandashme me Universitetin e Prishtinës.

“Ky Universitet që mbanë emrin e një atdhetari dhe intelektuali të madh siç ishte Hasan Prishtina, është emblemë e paqes dhe luftës për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës”, tha presidenti Hashim Thaçi.

Ai foli edhe për rëndësinë e këtij institucioni në kohën kur Kosova po kalon në një periudhë tjetër të rëndësishme, atë të fuqizimit të subjektivitetit ndërkombëtarë të shtetit tonë.

“Liria dhe Kosova janë vlera të pandashme me UP-në. Këto vlera të Universitetit, liria e të gjithë neve dhe shtetit të Kosovës duhet të fuqizohet, duhet të bashkohen me vlerat supreme evropiane të dijes, politikës, qytetërimit”, tha presidenti, raporton Ekonomia Online.

“Kosova ka qenë dhe do mbetet Evropë dhe perëndim, këtë nuk duhet ta harrojmë kurrë. Emri i Kosovës është në BE dhe në NATO, sepse kemi përqafuar qysh herët vlerat civilizuese e perëndimore. Jemi në këtë periudhë për konsolidimin në rrafshin e brendshëm dhe fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit tonë. Sot kur po shënojmë 10-vjetorin e pavarësisë na duhet uniteti politik e qytetar”, shtoi kreu i shtetit.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Dema, tha se Universiteti i Prishtinës është madhështor që sipas tij këtë e kanë dëshmuar historia, pjesëmarrja e studentëve në gara ndërkombëtare.

Ai tha se Universiteti i Prishtinës është Kosovë, dhe se pa ndryshime në UP nuk do të ketë ndryshime në Kosovë.

“Populli i Kosovës është duke shënuar tri ngjarje madhore, 550-vjetorin e vdekjes së Skënderbeut, shtet-formimi i Kosovës dhe 48 vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës. UP shërbeu si fole ku filluan dhe u ngritën çështjet më madhore të kombit tonë, sot vizioni i UP është ejani informohuni dhe me gjithë vështirësitë kemi jemi një universitet cilësor. UP çdo ditë po organizon tryeza, simpoziume, po ashtu Kosovën e vizitojnë 35 vende të botës edhe të rijnë nga shtete që nuk kanë njohur pavarësinë e Kosovës”.

“Për Këto të arritura dua të falënderoj studentët, komisionin evropian, qeverinë amerikane, gjermane, britanike, franceze turke, hungareze, zvicerane dhe shumë universitete partnere të cilat përmes programeve kontribuuan në këtë zhvillim. UP është madhështore të tillë e ka dëshmuar historia, universiteti i Prishtinës është Kosova pa ndryshim të UP nuk ka ndryshim në Kosovë”, tha Dema.

Zëvendësministri i Arsimit, Arbër Geci, tha se kjo ministri do bashkëpunojë ngushtë me Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, dhe do vë në funksion çfarëdo mekanizmi për mos të lejuar cenimin e të ardhmes së këtij universiteti.

“Ceremonia e themelimit të UP është moment i veçantë për të kujtuar angazhimin sakrificën e një kombi të tërë për dije. Themelimi i UP-së ishte ngjarja më e rëndësishme në sferën e edukimit dhe momenti i kthesës për një të ardhme të ndritur. Këtu u bënë vlerat kombëtare dhe u jetësuan vlerat për jetësimin e pavarësisë së Kosovës.

“Emri i veprimtarit të madh “Hasan Prishtina” për këtë universitet është dëshmi që kombi ynë ka rrit intelektual për dije e shkollim. Rezistenca dhe formësimi i idesë për pavarësinë e Kosovës i ka themelet në këtë universitete, dhe sakrifica në këtë universitet ka vu themelet për liri e pavarësinë e Kosovës. MAShT të mbetet në bashkëpunim të ngushtë me UP dhe do vë mekanizmat në funksion duke mos lejuar çfarëdo forcë mos të cenojë të ardhmen e këtij universiteti”.

Të ngjashme