UP-ja mohon se u tha profesorëve të kenë kujdes në provime, studentët inkurajon të deponojnë ankesat

Prishtinë | 27 Sht 2018 | 19:41 | Nga

Shumë bujë ka bërë vdekja e studentit të vitit të gjashtë të Fakultetit të Mjekësisë, në hollin e Universitetit.

Menjëherë pas kësaj, në një llogari në Facebook të Senatit të Universitetit të Prishtinës, “Hasan Prishtina”, janë renditur një varg ankesash ndaj profesorëve, raporton KTV.

Ndër të tjera thuhet: “Profesorë të nderuar, ju duhet të dini diçka me shumë rëndësi, se bërja e të vështirit, arrogantit, egoistit dhe të pakalueshmit, te studenti sjell vetëm frikë, stres dhe mjerim të vazhdueshëm”.

Por, rektori i UP-së, Marjan Dema, mohon se ky është qëndrim i Senatit.

Megjithatë, Dema thotë se edhe ky shkrim ka ardhur nga dikush që është i pakënaqur me profesorët, ndaj kërkon që studentët t’i deponojnë ankesat e tyre në Rektorat që të merren masat e duhura.

U raportua se Leutrim Gjini kishte vdekur duke pritur për të hyrë në provim.

Profesoresha universitare, Myrvete Paçarada, tregon se atë ditë Gjini e ka kaluar provimin praktik, dhe pastaj duhej t’i nënshtrohej edhe provimit gojor në lëndën e saj të Gjinekologjisë.

“Derisa i gëzuar ka folur me kolegët e tij se e ka dhënë provimin praktik, ka rënë në tokë dhe fatkeqësisht atë e kemi humbur. Unë assesi nuk mendoj se studenti ka pasur stres, meqë ai ka qenë në vitin e gjashtë të studimeve dhe i bie që ka kaluar shumë provime. Mjekët kanë konstatuar se ai ka qenë rast kardiak dhe mua më vjen shumë keq që një student i shkëlqyer si Leutrim Gjini nuk është më në mesin tonë”, ka thënë Paçarada.

Zv.dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Ibrahim Rudhani, thotë se nga studenti Gjini

dhe as nga të tjerë studentë, nuk ka pasur kurrfarë ankesash ndaj profesorëve.

Në anën tjetër, edhe rektori Marjan Dema thotë se u ka kërkuar dekanëve të fakulteteve raport për ndonjë ankesë që studentët mund të kenë ndaj profesorëve, por askush nuk ka raportuar për ndonjë pakënaqësi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme