Uran Ismaili: Qeveria dështoi në menaxhim të pandemisë, masat po merren “Sot për nesër”

Prishtinë | 31 Kor 2020 | 07:07 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ish-ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, po konsideron se Qeveria ka dështuar ta menaxhojë situatën me pandeminë COVID-19.

Duke e parë rritjen e numrit të të infektuarve, Ismaili thotë se ekziston frika për një mbingarkim të sistemit shëndetësor e që qytetarët s’do mund të marrin shërbime.

Ismaili për Ekonomia Online, thotë se PDK-ja i ka dhënë përkrahje ligjit anti-covid në mënyrë që qeveria të përballet me mirë me këtë situatë.

“Realisht këto javët e fundit ka një përkeqësim të situatës ku shohim se lakorja  po ngritët shumë dhe kemi shumë e më shumë raportime nga IKShPK-ja që tregon se është një përkeqësim i situatës dhe se mund të ketë një mbingarkim të sistemit shëndetësor, më pastaj të mos jemi në gjendje t’iu japim shërbime shëndetësore qytetarëve që kërkojnë. Kjo tregon se nuk jemi në rrugën e duhur, se duhet bërë ndryshim në formën sesi jemi duke e menaxhuar pandeminë, këtë rast institucionet e vendit. Ne i kemi dhënë përkrahje ligjit anti-covid në mënyrë që t’i japim çfarëdo ndihme që ka nevojë qeveria që të përballet me mirë me situatën”, tha ai, duke shtuar se deri më tani gjendja është shumë dramatike sesa në formën qysh po sillet qeveria.

E masat që po merren nga ana e qeverisë, sipas tij po bëhen pa një analizë të mirëfilltë. Thotë se këto masa po merren “sot për nesër”.

“Fakti se kur nuk japin masat efekt duhet t’i rivlerësosh ato dhe ne një ndër brengat cilën e kam është se këto masa po merren “sot për nesër”, pa një lloj analize të madhe dhe pa një tregues të qartë se nëse merren këto masa, këto do të jenë rezultatet. Pra masat po merren, por rezultatet nuk po jenë, përkundrazi ne po shohim një ngritje të numrit të të infektuarve dhe kjo është brenga jonë kryesore, që qeveria po fillon të marrë masa të njëpasnjëshme të pa analizuara dhe kjo krijon një klimë që pastaj qytetarët as nuk i ndjekin më ato masa, sepse konsiderojnë se ato masa po vijnë sot e po largohen nesër”, tha Ismaili.

Dështim tjetër ish-ministri i Shëndetësisë po i sheh numrin e vogël të testimeve, duke thënë se është dashur të ndjekej modeli në vendet tjera për shtim të kapaciteteve testuese dhe të investohen në blerjen e tyre.  

“Mendoj se hapa ka pasur mundësi të merren. Edhe sot kapacitetet testuese janë jashtëzakonisht të vogëla, e kemi të njëjtin kapacitet testues si ditën kur i kemi pas dy, tre personat e parë të infektuar. Mendoj se qeveritë kanë dështuar që të blejnë pajisje që janë të nevojshme për të testuar dhe kemi parë që të gjitha vendet kur ka pasur një sukses në parandalimin e rritjes së infektimit, është bërë pikërisht se kanë pas një sistem të avancuar të testimit dhe gjë të cilën kemi mundur ta bëjmë edhe ne shumë lehtë”, tha ai teksa shtoi se ka pasur neglizhencë të madhe të qeverisë në parandalimin e pandemisë.

Të ngjashme