Vaksina kineze anti-COVID tregon rezultate premtuese

Prishtinë | 16 Gus 2020 | 11:00 | Nga Ekonomia Online

Një vaksinë për koronavirus e zhvilluar nga një njësi e Grupit Kombëtar Farmaceutik të Kinës (Sinopharm), duket se ka rezultuar të jetë e sigurt dhe i përgjigjet imunitetit të njeriut, kanë thënë studiuesit.

Vaksina tashmë është zhvendosur për testim më të gjerë në shumë kandidatë për të parë nëse janë efektivë për të fituar aprovimin e gjerë për vaksinim, transmeton KOHA.

Sinopharm po teston vaksinën potenciale në Emiratet e Bashkuara Arabe në fazën e tretë, derisa pret që të rekrutojë 15,000 njerëz , pasi që Kina ka regjistruar shumë pak raste të reja me COVID-19 të cilat do të mund të përdoreshin për testim.

Vaksina nuk ka shkaktuar ndonjë efekt anësor, sipas Revistës të Shoqatës Amerikane Mjekësore. I vetmi reaksion tek vullnetarët ishte dhimbja në vendin e injektimit, pasuar nga temperatura, por të dyja të kontrollueshme, shkruan Xinhuanet.

Studimi përfshiu analiza në dy faza të provave klinike nga vaksinat për koronavirus të Institutit të Wuhanit për Produkte Biologjike. Studimi përfshiu 320 vullnetarë të shëndetshëm të moshave 18 deri në 59 vjeç, nga të cilët 96 u morën në fazën e parë e 224 në fazën e dytë.

Ditë më parë, Reuters gjithashtu ka shkruar për testimin e kësaj vaksine tek 320 vullnetarë.

Reuters shkruan se faza e tretë e testimit të vaksinën pritet të përfundojë brenda tre muajsh, për të qenë e gatshme deri në fund të vitit.

Kina po zhvillon të paktën tetë vaksina potenciale për COVID-19 në faza të ndryshme të testimit.

Të ngjashme