Vala e të nxehtit lë 2964 të vdekur për një javë në Holandë

Prishtinë | 09 Gus 2019 | 09:56 | Nga Ekonomia Online

Gati 400 njerëz më shumë kanë vdekur në Holandë gjatë valës rekorde të të nxehtit në Evropë në krahasim me një javë normale verore, ka thënë agjencia shtetërore holandeze e statistikave, CBS, të premten.

Në total, 2964 njerëz vdiqën në Holandë gjatë javës që nisi më 22 korrik, ka thënë CBS-ja, që është rreth 15 për qind më shumë sesa për një javë mesatare gjatë sezonit të verës, raporton Reuters.

Temperaturat rekorde pushtuan Evropën gjatë ditëve të fundit të korrikut, dhe për herë të parë që kur kanë nisur të regjistrohen temperaturat, Holanda preku 40 gradë celsius më 25 korrik, transmeton Koha.net.

Numri total i të vdekurve në Holandë gjatë asaj jave ishte i krahasueshëm me shkallën gjatë dy valëve të të nxehtit më 2006, që ishin më të gjatat ndonjëherë të shënuara në vend, kanë thënë hulumtuesit.

Rreth 300 nga viktimat shtesë ishin në mesin e personave të moshave 80 vjeçare e më të vjetër.

Shumica e vdekjeve ndodhën në lindje të Holandës, ku temperaturat ishin më të larta dhe vala e të nxehtit zgjati më shumë sesa në pjesët tjera të vendit.

Holanda ka popullatë prej rreth 17 milionë banorësh.

Vala e të nxehtit ishte e dyta që goditi Evropën brenda një muaji, dhe specialistët klimatikë paralajmërojnë se valë të tilla të të nxehtit mund të bëhen më të zakonshme derisa planeti ngrohet si pasojë e emetimeve të gazrave serrë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme