Varfërimi i qytetarëve dhe rreshqitja drejt një shteti social

Prishtinë | 29 Jan 2023 | 18:54 | Nga Egzon Kastrati

Periudha nëpër të cilën po kalon Kosova këto 2 vitet e fundit lë shumë për të dëshiruar, në të gjitha segmentet ka stagnim, probleme, regres shoqëror.

Trendi i rritjes se çmimeve nga muaji shtator i vitit 2021 vazhdoi me përmasa eksponenciale sa që në muajin shkurt të vitit 2022 pati rritje mbi 100% brenda dite të produkteve bazike e jo vetëm. Ky trend vazhdoi dhe në muajt në vijim kishim një rritje mesatare vjetore 16% të çmimeve, e nëse i referohemi çmimeve të të mirave esenciale ato tejkaluan rritje 50%. Pra në këtë vlerë u ulë buxheti familjar e u rrit kostoja e jetesës për qytetarët.

Kjo rritje e çmimeve dhe mosreagimi i qeverisë rrit varfërinë nga 15% sa ishte në mbi 20 %, nëse i referohemi termave të përkufizimit të varfërisë nga Banka Botërore.

Qeveria u krenua me rritje të të hyrave, por varfëroi qytetarët me mosdijen për t’iu dalë në ndihmë. Masa prej 100 milionë Euro kinse për ta luftuar inflacionin ishte afatshkurtër, e paanlizuar mirë dhe pa asnjë efekt pozitiv për kategoritë përdituese, mirëpo qeveria vazhdoi me injorancën.

Tendenca e kategorive të caktuar siç ishin shërbyesit civilë, mësimdhënësit të cilët kërkuan rritje të pagave si kërkesë legjitime për t’i përballuar kostot mujore të shpenzimeve familjare nga ky inflacion i tmerrshëm, jo vetëm që nuk u morën parasysh, por ata u shantazhuan me ndalje të pagave.

Pra në vend të ndihmës, ata rrezikuan edhe mirëqenien bazike të tyre me ndaljen ndoshta të burimit të vetëm të familjes.

Rritja e çmimit të karburanteve, lëndëve të para bujqësore, rritja e importit, rritja e çmimit të lëndëve të para për ngrohje, rritja e çmimit të energjisë e ngulfatën qytetarin e Kosovës e qeveria ishte spektatore në shumicën e rasteve edhe përfituese nga ky fenomen destruktiv.

Mungesa e politikave të mirëfillta ekonomike e të orientuara në fuqizim të sektorit privat, rritjes e zhvillimit ekonomik bën që shteti të stagnojë ekonomikisht.

Idologjia e kësaj qeverie ishte që t’i mashtrojë qytetarët kinse po synojmë barazi e drejtësi duke i fuqizuar skemat sociale, pensionale, kinse si kategori me mirëqenie të ulët, bëri që shteti të rrëshqasë drejt një sistemi social. Kjo nuk i duhet Kosovës dhe po na varfëron edhe më tepër. Kjo sepse nëse fuqizojmë sektorin privat pastaj krijohet mundësia edhe e rishpërndarjes së të hyrave me të larta për këto kategori dhe kështu krijojmë zingjir të vlerave ekonomike.

Ka rritje të çmimeve, ka papunësi, ka rritje të deficitit tregtar, rritje të kosoto së jetesës, varfërim të qytetarëve, rritje të tendencës për të migruar, qeveri pa program e injorante.

Nuk ka prosperitet, rritje, zhvillim ekonomik, rritje të pagave, rritje të mirëqënies së qytetarëve.

Çdo ditë e më tepër jemi duke u varfëruar. Nuk jemi të varfër, por jemi të udhëhequr nga praktikantët e injorantët.

Të ngjashme