Vazhdojnë punimet në rrugën Dollc-Zahaq, Ministria pranon vështirësitë në terren

Prishtinë | 28 Gus 2026 | 18:52 | Nga Ekonomia Online

Punimet në segmentin rrugor Dollc-Zahaq po vazhdojnë, ndërsa Ministria e Infrastrukturës ka pranuar se në terren janë paraqitur sfida dhe vështirësi.

Sipas një njoftimi nga ky dikaster thuhet se janë në bashkëpunim të vazhdueshëm me mbikëqyrësin dhe operatorët ekonomikë, me synimin që projekti të avancojë sipas afateve dhe planit të paraparë.

“Sikurse në çdo projekt të madh infrastrukturor, edhe këtu ka sfida dhe vështirësi në terren. Megjithatë, si kabinet dhe si Ministri jemi maksimalisht të angazhuar që çdo problem të adresohet sa më shpejt dhe të gjenden zgjidhjet e nevojshme për vazhdimin e punimeve”, thuhet në njoftim e lëshuar të premten.

Ministria thekson se përfundimi i këtij segmenti dhe projekteve tjera është obligim ndaj qytetarëve, të cilët i presin ato, teksa ka falënderuar ata dhe u ka kërkuar durim e mirëkuptim gjatë punimeve.

“Do të vazhdojmë të jemi në terren dhe të punojmë që ky segment të përfundojë sa më shpejt dhe me cilësinë e kërkuar”, thuhet tutje.

Kjo rrugë është një projekt që ndër vite është përcjellë me ndryshime të planifikimit, kundërshtime të banorëve dhe vonesa në procedimin e segmenteve të saj. Ajo ishte nisur si autostradë, para ardhjes në pushtet të qeverisë Kurti, e cila vendosi më pas të mos e bëjë të tillë, por vetëm ta zgjerojë rrugën ekzistuese. 

Të ngjashme