Vazhdon gjykimi ndaj Pjetër Shalës në Hagë

Prishtinë | 28 Mar 2023 | 09:03 | Nga Ekonomia Online

Në Dhomat e Specializuara do vazhdojë gjykimi ndaj Pjetër Shalës i njohur si Komandant ‘Ujku’ me dëgjimin e dëshmitarëve të Prokurorisë.

Ndryshe dje ka dëshmuar dëshmitari i mbrojtur i prokurorisë.

Gjykimi ndaj Shalës filloi më 21 shkurt 2023, ku i njëjti u deklarua i pafajshëm, ndërsa Prokuroria dhe mbrojtja e viktimave paraqitën deklaratat hyrëse.

Në deklaratën e tij para trupit gjykues, Pjetër Shala, i akuzuar për krime lufte, ka deklaruar se ka luftuar kundër një makinerie policie ushtarake të një regjimi kriminal të Slobodan Millosheviqit, por kurrë kundër civilëve.

Ndryshe aktakuza kundër Shalës u konfirmua më 12 qershor 2020 dhe versioni i redaktuar u bë publik më 15 prill 2021. Më 18 tetor 2021, gjykatësi i pocedurës paraprake miratoi pjesërisht mocionet e Mbrojtjes dhe urdhëroi ZPS-në që të ndryshojë aktakuzën në mënyrë që të ofrojë nivelin e kërkuar të konkretitetit dhe të qartësisë lidhur me pjesëmarrjen personale të të akuzuarit në incidente. ZPS-ja e dorëzoi aktakuzën e korrigjuar më 1 nëntor 2021. Kjo ishte aktakuza në fuqi në këtë çështje.

Krimet për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin të gjithë shtetas të RFJ-së dhe persona të cilët nuk merrnin pjesë aktivisht në luftime.

Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar, të përfaqësuesit të viktimave dhe të Mbrojtjes.

Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021.

Të ngjashme