Partia e Drejtësisë (PD) njofton se ka vdekur tragjikisht në një aksident trafiku anëtarja e Kryesisë, Ilirjana Perteshoni, e cila njëherit ishte edhe këshilltare Politike e ministrit Ferid Agani në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
PD thotë se vdekja e Ilirjana Perteshonit ka shokuar çdo anëtar të kësaj partie. PD me këtë rast i shpreh ngushëllime të sinqerta familjes Perteshoni, familjarëve të saj, por edhe çdo anëtari të PD-së, duke e lutur Zotin e Madhërishëm që ta ketë mëshiruar atë dhe motrën e saj.
PD do ta kujtojë çdo herë me respekt Ilirjanën, si një njeri me virtyte të larta morale dhe intelektuale. Shembullin personal të saj duhet ta synojë çdo qytetar i vendit.
Perteshoni në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010 pati qenë kandidate e PD-së për deputete të Kuvendit të Kosovës, ndërsa ishte anëtare e kryesisë së degës së PD-së në Gjakovë, anëtare e Kryesisë Qendrore dhe anëtare e Këshillit Drejtues të PD-së. Nga dhjetori i vitit 2014 ka qenë Këshilltare Politike e Ministrit Ferid Agani në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Ilirjana së bashku me motrën e saj Dardanën humbën jetën sot në një aksident trafiku që ndodhi në magjistralen Gjakovë – Klinë.