Sulmuesi i Kombëtares së Kosovës, Vedat Muriqi, para pak çastesh ka mbërritur në Stamboll, pasi ka kompletuar rikthimin e tij në ekipin Fenerbahçe.
Gjatë ditës, gjiganti turk i futbollit ka konfirmuar transferimin e 31-vjeçarit.
“Klubi ka arritur marrëveshje në parim për transferimin e Vedat Muriqit dhe lojtari do të mbërrijë në Stamboll për kontrollet mjekësore dhe përfundimin e negociatave”, thuhej në njoftimin e klubit.
Ylli “Dardan” është pritur nga tifozët e “Fenerit” posa ka zbritur në aeroportin “Sabiha Gokçen” në Stamboll.
Muriqi ishte një nga lojtarët më të spikatur të Fenerbahçes para transferimit të tij në Itali, ndërsa tani rikthehet në Stamboll pas periudhës së kaluar te Mallorca, ku u shndërrua në një nga figurat kryesore të skuadrës spanjolle.