Me rastin e Ditës Botërore për Refugjatë, ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka bërë një adresim për nderë të kësaj dite, me arsyetimin se nuk ka mundur ta zhvilloj ndonjë aktivitet për shkak të situatës me Covid 19.
Në vijim gjeni të plotë adresimin e ministrit Veliu:
Sot është Dita Botërore për Refugjatë, ditë që populli ynë duhet ta kujtojë edhe për shkak të historisë dhe përvojës sonë ende të freskët. Andaj në këtë ditë, ne shprehim solidaritetin dhe bashkëndjejmë me rreziqet, vështirësitë dhe problemet me të cilat ballafaqohen refugjatët në mbarë botën. Ky solidaritet për refugjatë dhe të zhvendosur, është edhe më i theksuar kur merret parasysh se numri i personave të zhvendosur është rreth 79.5 milion, një rekord ky i paparë asnjëherë deri më tani.
Institucionet e Republikës së Kosovës dhe në veçanti Ministria e Punëve të Brendshme ka punuar dhe vazhdon të punojë çdo ditë së bashku me institucionet vendore, UNNHCR-në, organizatat partnere të saj dhe me organizata tjera ndërkombëtare në mënyrë që të gjithë së bashku t’ua mundësojmë azil-kërkuesve dhe refugjatëve një trajtim të dinjitetshëm dhe të drejtë.
Në këtë drejtim, ne kemi hartuar legjislacionin që është në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe regjionale që garanton liritë dhe të drejtat e refugjatëve dhe azil-kërkuesve. Poashtu janë krijuar strukturat dhe mekanizmat e duhur që mundësojnë zbatimin e duhur të legjislacionit duke mundësuar kështu që azil-kërkuesit dhe refugjatët t’i gëzojnë të drejtat e tyre.
Edhe në këtë kohë të pandemisë me COVID-19, trajtimi jonë për azil-kërkuesit dhe migrantët në Republikën e Kosovës ishte në nivel të lartë. Jemi përkujdesur që të gjithë të jenë të mbrojtur nga rreziku i infektimit përmes sigurimit të pajisjeve të nevojshme, ofrimit të informatave të nevojshme rreth mbrojtjes nga pandemia, si dhe duke ofruar shërbime edukative gjatë muajve të izolimit. Mendojmë se fakti që nuk ka asnjë të infektuar me virusin COVID-19, është dëshmi e punës sonë të palodhshme dhe përkujdesjes sonë institucionale ndaj refugjatëve dhe azil-kërkuesve.