Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka reaguar lidhur me vendimin e KGJK-së për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë, duke thënë se, ky vendim është marrë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Kosovës.
Gërvalla, në postimin e saj, ka reaguar edhe ndaj deklaratave të zyrtarëve të Bashkimit Evropian, lidhur me këtë vendim, duke thënë se, ajo nuk mund të hesht ‘’ përballë përpjekjeve për ta vënë në pikëpyetje zbatimin’’ e ligjit të Kosovës.
‘’Njëkohësisht ritheksoj se përfaqësimi i të gjitha komuniteteve në institucionet e drejtësisë është detyrim kushtetues. Por ky përfaqësim nuk mund të përdoret si arsye për të relativizuar ligjin, pavarësinë e gjyqësorit apo përgjegjësinë individuale të bartësve të funksioneve gjyqësore. Republika e Kosovës është shtet ligjor. Dhe shteti ligjor ka kuptim vetëm kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë. Republika e Kosovës nuk mund të sakrifikojë shtetin e saj ligjor për hir të politikave ledhatuese (appeasement) të BE-së, e në dëm të rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës’’, ka shkruar ajo mes tjerash.
Postimi:
Në Republikën e Kosovës, ligji nuk negociohet dhe askush nuk qëndron mbi ligjin: Reagim ndaj deklaratave të zyrtarëve të BE-së lidhur me vendimin e KGJK-së për dorëheqjet e gjyqtarëve serbë dhe zyrtarëve të administratës gjyqësore
Si Ministre e Drejtësisë, nuk mund të hesht përballë përpjekjeve për ta vënë në pikëpyetje zbatimin e ligjit të Republikës së Kosovës nga institucionet e saj të pavarura dhe për t’i imponuar atyre interpretime e preferenca politike të kujtdo qoftë.
Më 27 gusht 2026, Këshilli Gjyqësor i Kosovës mori vendim për refuzimin e kërkesave për tërheqjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë, të paraqitura në vitin 2022, dhe për t’i propozuar u.d. Presidentes së Republikës së Kosovës lirimin e tyre nga detyra.
Ky është vendim i një institucioni të pavarur. Dhe është vendim që është marrë në përputhje të plotë me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës.
Ligji për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, në nenin 26, përcakton shprehimisht detyrimin e Këshillit që, në rast të dorëheqjes së gjyqtarit ose prokurorit, t’ia dërgojë Presidentit propozimin për lirimin nga detyra. Këto dorëheqje janë dhënë në vitin 2022. Kanë kaluar pothuajse katër vjet.
Gjyqtarët në fjalë nuk kanë ushtruar detyrat e tyre për afërsisht katër vjet.
Gjatë kësaj periudhe, ata janë shkëputur nga proceset e rregullta të sistemit gjyqësor të Kosovës, përfshirë raportimin, vlerësimin e performancës, trajnimet e vazhdueshme dhe detyrimet e tjera që u takojnë të gjithë gjyqtarëve.
Mungesa e vazhdueshme nga puna përbën shkelje të rëndë disiplinore sipas Ligjit në fuqi për Përgjegjësinë Disiplinore të vitit 2018. Kjo, së bashku me detyrimet e tjera ligjore të shkelura, e bën të papranueshme tërheqjen e këtyre dorëheqjeve në rrethanat aktuale.
Por kjo çështje nuk mund të shkëputet nga rrethanat në të cilat këto dorëheqje janë dhënë.
Dorëheqjet e vitit 2022 nuk ishin veprime individuale dhe të izoluara. Ato u dhanë në mënyrë të organizuar, së bashku me dorëheqje nga pozita të tjera në institucionet e drejtësisë, në rrethanat e një presioni politik të drejtuar nga shteti i Serbisë.
Një veprim i tillë binte ndesh me ligjet e Republikës së Kosovës, si dhe me detyrimin e gjyqtarëve për të respektuar rendin kushtetues dhe sistemin juridik të vendit dhe për të ruajtur pavarësinë e tyre në ushtrimin e funksionit.
Të njëjtin qëndrim mbajti edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës më 20 korrik 2026, kur refuzoi kërkesën e prokurorëve serbë dhe punonjësve administrativë për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në nëntor 2022.
Prandaj, e sfidoj publikisht cilindo që pretendon se këto vendime bien ndesh me ligjin e Republikës së Kosovës: na tregoni cili ligj është shkelur. Cili nen? Cila dispozitë?
Na tregoni cili ligj i Republikës së Kosovës përcakton se një person mund të japë dorëheqje nga një funksion në sistemin e drejtësisë, të mos e ushtrojë atë funksion për afërsisht katër vjet dhe më pas të rikthehet në të njëjtën pozitë?
Nëse pretendohet shkelje e ligjit, atëherë le të tregohet saktësisht ligji që qenka shkelur.
Është e papranueshme që sot një vendim i Këshillit Gjyqësor, i mbështetur në kuadrin kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës, të vihet në pikëpyetje për arsye politike. Nuk mund të kërkohet nga Kosova zbatimi i ligjit dhe, në të njëjtën kohë, të ushtrohet presion ndaj institucioneve të saj kur ato e zbatojnë atë.
Partnerët tanë evropianë duhet ta mbështesin shtetin ligjor në Kosovë jo vetëm kur rezultatet janë të përshtatshme politikisht, por pikërisht kur institucionet e pavarura marrin vendime mbi bazën e ligjit.
Si Ministre e Drejtësisë, e mbështes fuqishëm vendimin e Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe pavarësinë e tij për të vepruar në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor.
Njëkohësisht ritheksoj se përfaqësimi i të gjitha komuniteteve në institucionet e drejtësisë është detyrim kushtetues. Por ky përfaqësim nuk mund të përdoret si arsye për të relativizuar ligjin, pavarësinë e gjyqësorit apo përgjegjësinë individuale të bartësve të funksioneve gjyqësore.
Republika e Kosovës është shtet ligjor. Dhe shteti ligjor ka kuptim vetëm kur ligji zbatohet njësoj për të gjithë.
Republika e Kosovës nuk mund të sakrifikojë shtetin e saj ligjor për hir të politikave ledhatuese (appeasement) të BE-së, e në dëm të rendit kushtetues dhe ligjor të Republikës së Kosovës.
Në Republikën e Kosovës askush nuk është mbi ligjin. Bash askush! Asnjë individ. Asnjë institucion. Dhe asnjë presion politik, vendor apo ndërkombëtar.