Gjykata e Apelit e Kosovës ka vërtetuar dënimin prej 24 vitesh burgim për Dibran Hoxhën, i njohur me nofkën “Kobra”, i akuzuar për vrasjen e shtetasit nga Shqipëria në fillim të vitit 2023 në Prizren.
Përmes një njoftimi zyrtar të lëshuar këtë të enjte, Apeli bëri të ditur se ka refuzuar ankesat e mbrojtjes për pjesën më të madhe të aktgjykimit, duke lënë në fuqi dënimet edhe për bashkëpunëtorët e tij, me përjashtim të një ndryshimi të lehtë për të akuzuarin Roland Susuri.
Susuri ishte dënuar për tri vepra penale me dënim unik prej 7 vite duke përfshirë rrahje për të cilën ishte dënuar me 1 vit e gjashtë muaj, armëmbajtje pa leje me 1 vit e gjashtë muaj dhe manipulim me prova 4 vite e gjashtë muaj.
Për Susurin, Apeli ka marrë vendim që të ja ndryshoj vetëm dënimin për veprën manipulim me prova, duke ja zbritur dënimin nga 4 vite e 6 muaj në 3 vite burgim. Kështu duke ja ndryshuar dënimin unik nga 7 vite burgim në 5 vite burgim unik.
“Gjykata e Apelit e Kosovës, ka ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special vetëm përkitazi me vendimin mbi dënimin për veprën penale manipulimi me prova nga neni 389 paragrafi 1 i KPRK-së, ashtu që për këtë vepër penale të njëjtit i është shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tre) viteve, ndërsa për tri veprat penale për të cilat është shpallur fajtor të akuzuarit R.S, i është shqiptuar dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 5 (pesë) viteve”– thuhet në njoftimin e Gjykatës së Apelit.
Nërsa për Arben Vezajn për pjesëmarrje në rrahje është vërtetuar dënimi me burgim prej 1 viti, edhe për Burim Mazreku është vërtetuar dënimi me burgim për manipulim me prova që i ishte shqiptuar në dënim me burgim prej 1 viti dhe Jesmir Badallajt i është vërtetuar dënimi nga Apelit për pjesëmarrje në rrahje dhe, armëmbajtje pa leje, për çka i ishte shqiptuar dënim unik 2 vite burgim.
Kurse ankesat për pjesët e tjera të aktgjykimit, Gjykata e Apelit i ka refuzuar si të pabazuara, kurse e ka hedhur si të palejuar ankesën e përfaqësuesit të palës së dëmtuar.
Gjykata e Apelit kanë thënë se nga analizimi i aktgjykimit të Themelores nuk është vërejtur se aktgjykimi është i përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
Sipas njoftimit të Gjykatës së Apelit, aktgjykimi është i qartë, në përputhje të plotë me arsyetimin e tij dhe ka dhënë arsye të qarta lidhur me vendimin, kohën dhe mënyrën se si është kryer vepra penale.
“Sa i përket pretendimeve ankimore të mbrojtësve të të akuzuarve për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale nga neni 384 paragrafi 2 nënparagrafët 2.1, 2.2, 2.5 dhe 2.7 lidhur me nenin 369 të KPPK-së, si dhe shkelje të nenit 53 të KPPK-së, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se të njëjtat janë të pabazuara. Kjo për faktin se dispozitivi i aktgjykimit është i qartë, konkret dhe në përputhje të plotë me arsyetimin e tij, ndërsa gjykata e shkallës së parë ka dhënë arsye të mjaftueshme lidhur me të gjitha faktet vendimtare të kësaj çështjeje penale-juridike, duke bërë vlerësimin e provave në pajtim me nenin 361 paragrafi 1 të KPPK-së dhe duke dhënë arsye të qarta lidhur me vendin, kohën, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale nga të akuzuarit”- thuhet në njoftim.