Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, ka mbajtur një konferencë shtypi pak minuta para se të skadojë afati për dorëzimin në KQZ të emrave të kandidatëve për kryetarë të komunave dhe asamblistë për zgjedhjet e 22 tetorit.
Veseli nuk ka dhënë asnjë emër konkret, por tha se 80 për qind të kandidatëve për kryetarë të komunave do të garojnë për herë të parë. “Në mesin e tyre janë dhe tri zonja të nderuara”, tha Veseli, i cili theksoi se në këtë mënyrë PDK-ja po e jep shembullin më të mirë për fuqizimin e rolit të gruas.
Ai ka bërë të ditur se mbi 500 personalitete të reja janë bërë pjesë e listës garuese të PDK-së në komunat e Kosovës.
Sipas tij, kjo është rezultat i reformave të vazhdueshme në PDK.
“Sot në Partinë Demokratike të Kosovës kompletuam ekipin më të mirë për zgjedhjet lokale të 22 tetorit”, tha Veseli, sipas të cilët në listat e tyre ka gra dhe burra me të cilët PDK-ja dëshmohet edhe një herë si partia më e madhe dhe më e përkushtuar për ndërtimin e shtetit.
Fjalimi i kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, z. Kadri Veseli, në konferencën për prezantimin e kandidatëve për kryetar të komunave:
Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës
Sot në Partinë Demokratike të Kosovës kompletuam ekipin më të mirë për zgjedhjet lokale të 22 tetorit.
Një ekip i shkelqyeshëm i grave dhe burrave, përmes të cilit, Partia Demokratike e Kosovës, dëshmohet edhe njëherë, si partia më e madhe dhe më e përkushtuar për zhvillimin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve.
Ne kemi përzgjedhur kandidatë për kryetar komunash dhe asambleistë, personalitete me vlera të larta profesionale, polititike dhe kombëtare.
Si rezultat i besimit në Partinë Demokratike dhe reformave të vazhdueshme, në këto zgjedhje lokale na janë bashkuar mbi 500 personalitete të reja që janë bërë pjesë e listës tonë garuese nëpër komunat e Kosovës.
Këtë fakt e bënë edhe më madhështor dhe fuqiplotë numri i kandidatëve të rinj për kryetar komunash, që përbën 80 përqind të numrit të përgjithshëm.
Pra, 80 përqind e kandidatëve tonë për kryetar të komunave garojnë për herë të parë.
Në këto zgjedhje, Partia Demokratike e Kosovës po ashtu po jep shembullin më të mirë për fuqizimin e rolit të gruas, duke kandiduar tri zonja të nderuara për kryetare të komunave.
Ata do të jenë përfaqësuesit tuaj më të devotshëm, sepse janë njerëzit tuaj, janë vullneti juaj, i njohin hallet tuaja, por edhe kanë guximin e dijen për t’i zgjidhur ato.
Ky ekip është dëshmi e rradhës se Partia Demokratike e Kosovës vazhdon të jetë epiqendra e ndryshimit pozitiv në Kosovë.
Partia Demokratike e Kosovës është partia e ndërtimit të shtetit.
Ne bëjmë dallimin e madh me ata që dijnë vetëm të bëjnë propagandë e shkatërrojnë shtetin dhe ata që nuk bëjnë asgjë dhe ulin kokën.
Më 22 tetor, bashkë me qytetarët, ekipi i Partisë Demokratike të Kosovës, do të triumfoj mbi dështakët dhe keqbërësit e politikës kosovare.
Ne kurrë nuk stepemi para sfidave. Ne gjithmonë i mundim ato, sepse ne e besojmë, e duam dhe e respektojmë shtetin e Kosovës, vlerën më të lartë që ka krijuar populli ynë.
Misioni ynë është i qartë: Ne hyjmë në këto zgjedhje për të garantuar ecjen përpara të Republikës së Kosovës, duke ofruar modelin më të mirë dhe më efikas të qeverisjes lokale.
Ne do të fitojmë që të fitoj Kosova. Urime!