Veseli paralajmëron nxjerrjen e Ligjit për Tregti të Brendshme

Prishtinë | 06 Tet 2017 | 20:17 | Nga

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, bashkë me kandidaten për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, sot kanë vizituar disa biznese në komunën e Mitrovicës.

Veseli ka shfrytëzuar këtë rast t’iu bëjë thirrje publike deputetëve të Kuvendit për aprovimin e Ligjit për Tregti të Brendshme, i cili sipas tij forcon dhe promovon prodhimin vendës.

“Do të bëjë thirrje publike, pra do të thërras edhe brenda institucioneve të Kuvendit që sa më shpejt Kuvendi të mbledhë iniciativa për aprovimin e Ligjit për Tregti të Brendshme për arsye se ne duhet ta mbrojmë produktin vendor”.

“Shikoni këto produkte janë të jashtëzakonshme, janë të traditës sonë shekullore dhe të njëjtën kohë janë shumë kualitative”, tha Veseli, gjatë vizitës që iu bëri bizneseve “Aldi” dhe “Loni Dekor”

“Kjo është jashtë fushatës elektorale për zgjedhjet e 22 tetorit, dua t’i thërras që ta bëjnë këtë për të mirën e Kosovës, sepse e di që e duan shumë Kosovën dhe për të mirën e prodhuesve dhe që në raftet e para të jenë vetëm produktet e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Ndërsa, kandidatja e PDK-së për kryetare të Mitrovicës, Valdete Idrizi, u ka premtuar bizneseve se me ardhjen e saj në krye të Mitrovicës jo vetëm që do t’i mbështesë prodhimet vendëse por edhe do t’i fuqizojë ato.

“Unë kam takuar shumë prej fermerëve dhe jam zotuar që do të jem në përkrahje të tyre, kështu që do ta keni edhe ju gjithsesi përkrahjen time”, shtoi Idrizi.

“E përmendët problemin me percepcionin për prodhimet vendore e unë si një lokaliste e fortë jam dhe një fanatike e madhe e prodhimeve vendore. E kemi edhe një komponentë shumë të fortë që është promovimi sepse sa i përket cilësisë, e thashëunë jam një prej konsumueseve të prodhimeve vendore, dhe e di shumë mirë se nuk mungon kualiteti”.

“Jo vetëm që nuk do të ju mungoj mbështetja, por edhe do të ju fuqizojmë, sepse kjo është edhe ideja e forcës së ndryshimit për me ju ndihmu ndërmarrësve edhe prodhuesve që me arrit me u zgjeru”, u shpreh kandidatja për të marrë drejtimin e Komunës së Mitrovicës, në katër vitet e ardhshme.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme