Kreu i Partisë Demokratike, Kadri Veseli, në një konferencë për medie, ka thënë se partia e tij ka fituar bindshëm në shumicën e qyteteve kryesore në Republikën e Kosovës.
Ai pret që PDK-ja do të fitojë në të gjitha komunat ku ka mbetur në balotazh, raporton Ekonomia Online.
“Sonte qytetarët e Republikës së Kosovës duhet të krenohen. Qytetarët kanë votuar për orientim perëndimor. PDK-ja është forca e ndryshimit. PDK ka fituar bindshëm në shumicën e qyteteve kryesore në Republikën e Kosovës”, tha Veseli.
Lideri i PDK-së tha se janë të parët në tri nga shtatë qendrat më të mëdha të Kosovës. “Ndërsa në 10 komuna jemi në balotazh dhe kemi siguri të madhe t’i fitojmë në raundin e dytë”.
Veseli numëroi komunat, ku partia që ai drejton, është e para. “Prijmë në qytetin e bukur të Prizrenit; në qytetin më industrial, Mitrovicë; qytetin e ndërmarrësisë Ferizaj; pastaj në qytetin e lashtë, Vushtrri; prijmë në Klinë, Kaçanik, Shtime, në të cilën i kemi dy kandidatë – kandidatin e PDK-së dhe ish-nënkryetarin e PDK-së që tani është në balotazh; garojmë në Rahovec ku do të fitojmë bindshëm, Malishevë, e Dragash gjithsesi do të fitojmë”.
Ndërsa tha se dy komuna i kanë fituar pa balotazh: Skenderajn dhe Drenasin.
Sikur dihet për kryetar të Skenderajt ka konkurruar Bekim Jashari, si kandidat i pavarur, por që është mbështetur nga PDK-ja. Kurse, në Drenas ka fituar Ramiz Lladrovci.
Në fund, Veseli i ka falënderuar të gjithë qytetarët që votuan dhe ata që u kujdesën për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.