Qeverisja e PDK-së ka transformuar Klinën, duke realizuar dhjetëra projekte kapitale e infrastrukturore të cilat i kanë hapur rrugë zhvillimit ekonomik, e do të vazhdojë kështu edhe për katër vjetët e ardhshëm.
Kështu ka deklaruar Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, gjatë një takimi që ka pasur të hënën në Klinë me Kandidatin për Kryetar Komune, Sokol Bashota dhe kandidatët për Kuvend Komunal, për ta diskutuar me ta platformën e re qeverisëse.
“PDK në Klinë ka kandidatët më të mirë, të cilët do të sjellin fitoren e re për qytetarët e Klinës. Kryetari Sokol Bashota e ka përkrahjen e plotë për të gjitha projektet që do të vazhdoj t’i realizojë në Komunën e Klinës”, tha Veseli.
Kryetari i Komunës së Klinës, Sokol Bashota, duke folur për projektet e shumta që kanë realizuar deri më tash, tha se ndihet i nderuar që do të mund t’u shërbejë edhe më tutje qytetarëve të Komunës së Klinës.
“Falë punës sonë dhe mbështetjes së Qeverisë së udhëhequr nga PDK, Komuna e Klinës është zhvilluar dhe ndërtuar shumë prej vitit 2007 e këndej. Pa dashur të përmend shumë projekte, vetëm në arsim kemi ndërtuar 9 shkolla dhe 1 çerdhe. Ndërsa në infrastrukturë kemi ndërtuar mbi 250 kilometra rrugë të asfaltuar”, ka thënë Bashota.
Ai shtoi se PDK në Klinë ka vizionin më të mirë për të vazhduar zhvillimin ekonomik dhe hapjen e perspektivës për vende të reja pune.