Lideri i PDK-së, Kadri Veseli, sot ka marrë pjesë në Konventën e Gruas Demokratike, ku kanë marrë pjesë afër 1 mijë gra të Partisë Demokratike të Kosovës.
Ai ka thënë se është krenari që të kemi një pjesëmarrje kaq të madhe dhe kaq entuziaste të aktivisteve të Partisë Demokratike të Kosovës.
“Lufta Kundër Korrupsionit është mesazhi ynë kryesor në këto zgjedhje. Por, unë gjithmonë them se lufta kundër korrupsionit është vetëm mjeti, jo qëllimi. Qëllimi ynë është që ta ndërtojmë një të ardhme dinjitoze për Kosovën, duke forcuar ekonominë, duke forcuar marrëdhëniet me partnerët tanë ndërkombëtarë dhe duke u ofruar të rinjve mundësi për të qëndruar në Kosovë. Lufta jonë kundër korrupsionit dhe nepotizmit, jo vetëm që do i japë fund largimit të rinisë, por do t’u shërbejë të gjithëve, përfshirë këtu edhe gratë. Mbështetja juaj do jetë vendimtare për të arritur fitoren në këtë luftë. Unë kam besim të plotë në përkushtimin e grave të Kosovës për ta luftuar korrupsionin, në mënyrë që të hapim mundësi për rininë dhe ta ndalim largimin e fëmijëve tanë”, ka thënë Veseli.
Kreu i PDK-së ka thënë se të gjithë e dinë se qeveritë me përfaqësim adekuat të grave kanë shumë më pak korrupsion.
Prandaj, sipas tij, qeveria e ardhshme të cilën do ta drejtojë ai, do të ketë përfaqësimin më të lartë të grave që ka pasur Kosova ndonjëherë.
“Jo vetëm pjesëmarrjen më të lartë të grave, por edhe dedikimin më të madh që ka pasur ndonjëherë për të arritur barazinë gjinore, përfaqësimin dhe për ta fuqizuar gjendjen e grave në shoqëri. Nëpërmjet luftës kundër korrupsionit, ne do të kursejmë fonde të cilat do i përdorim për të financuar fuqizimin ekonomik të grave në Kosovë”, ka thënë ai.
Një ndër zotimet kryesore për mandatin e ardhshëm qeveritar, Veseli ka thënë se është financimi i ndërtimit të 300 çerdheve në gjithë vendin.
“Shumë nëna të reja do të lehtësohen, duke i çuar fëmijët në këto çerdhe, në mënyrë që të bëjnë një jetë më aktive në ekonomi e shoqëri. Por, kjo, për më tepër, do t’i ndihmojë Kosovës në përgatitjen e gjeneratave në sfidat e modernizimit të ekonomisë sonë dhe konkurrencës globale. Fuqizimi ekonomik i grave është vendimtar në përmirësimin e gjendjes së tyre. Dhe, unë kam një vizion konkret për të siguruar lehtësira tatimore për bizneset private që punësojnë gra, si dhe për ato biznese që themelohen e udhëhiqen nga gratë”, ka thënë Veseli.
Lideri i PDK-së në Konventën e Gruas Demokratike ka premtuar se do të angazhohet në një fushatë intensive për t’i dhënë fund diskriminimit të grave në ndarjen e pasurisë familjare, në çështjen e trashëgimisë, në mënyrë që ato të kenë sa më shumë autonomi financiare.
“Duke qenë i bindur se arsimimi i vajzave dhe grave është një ndër mënyrat më efikase për të përmirësuar statusin social të tyre në shoqëri, do t’i mbështesim pa kursim me bursa dhe programe të posaçme arsimore. Për të ndryshuar statusin e grave në shoqëri, është shumë e nevojshme që të aplikohet toleranca zero kundrejt dhunës ndaj grave e dhunës në familje”, ka thënë ai.
Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, i ka falënderuar të gjitha gratë për përkrahjen e vazhdueshme.
“Përkrahja juaj për luftën time kundër korrupsionit është jo vetëm nder, por edhe obligim për t’i shkuar deri në fund. Ju siguroj se duke qenë bashkë, kështu siç jemi sot, duke përçuar mesazhin e Kosovës perëndimore, Kosovës së zhvilluar ekonomikisht, Kosovës me gra vendimmarrëse, ne mund ta bëjmë Kosovën më të mirë, ne do ta bëjmë Kosovën me të mirë dhe bindshëm do t’i fitojmë zgjedhjet më 6 tetor”, ka thënë lideri i PDK-së.
Ai ka thënë se fitorja e PDK-së do të jetë për të ardhmen e Kosovën, për gratë e vajzat dhe për shtetin tonë.
Ish-luftëtarja e UÇK-s, Hidajete Spahiu, kërkoi nga kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, që të adresohet cështja e veteranëve të rrejshëm.
“Ne gratë e Kosovës, kemi kontribuar me vitet të tëra për çlirimin e vendit tonë. Veteranët e UÇK-ës ata që i kanë veshur uniformat e UÇK-së pas lufte, ne sot jemi të njëjtë, të barabartë këtë kërkojmë nga ju z.Veseli, ta adresoni në vendin e duhur”, tha ajo.
Medina Brahaj, kryetare e degës së rinisë në Shtime, tha se askush nuk e ka vizionin për ta luftuar nepotizmin sikur e ka kryetari Kadri Veseli.
“ Vizioni i gruas dhe lojaliteti ynë rreth luftës kundër korrupsionit, z.Vesel jemi të bashkuar gjitha gratë, askush nuk e ka vizionin për ta luftuar nepotizmin sikur e ka kryetari Kadri Veseli”, tha ajo, raporton EO.