Në Shoqatën për Mbrojtjen e Pacientëve shprehen të shqetësuar për shkurtimet buxhetore që kanë ndodhur në shëndetësi. Sipas tyre, është e papranueshme që me paratë që ishin të dedikuara për shërbime të pacientëve të paguhen veteranët
Shkurtimi i buxhetit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për afro 2 milionë euro do ta thellojë edhe më tutje krizën në këtë institucion.
Kështu thotë i pari i Shoqatës për Mbrojtjen e Pacientëve, Besim Kodra, në një prononcim për “Zërin”.
Ai ka thënë se Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës vetëm se ka qenë në krizë të madhe duke e pasur parasysh mungesën e barnave, aparaturave të prishura, listën e gjatë të pritjes së pacientëve për ekzaminime për shkak të pamjaftueshmërisë së aparaturave.
Kodra thotë se terminet për një rezonancë magnetike tashmë janë diku deri në maj të vitit 2017, çka për pacientët përbën problem real. “Të gjitha këto do të rëndojnë edhe më tutje kurrizin e pacientëve tashmë të lodhur nga mosfunksionimi normal i shëndetësisë si pasojë e mungesave të mëdha në këtë institucion”, ka thënë kryetari i Shoqatës për Mbrojtjen e Pacientëve, Besim Kodra. /Zeri