Veteranët e UÇK-së me peticion kërkojnë të ndryshohet Ligji për Specialen

Prishtinë | 12 Dhj 2017 | 12:25 | Nga Valbona Bytyqi

Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kërkojnë ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, duke konsideruar se ky ligj është diskriminues ndaj shqiptarëve të Kosovës e në veçanti ndaj UÇK-së.

Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, tha se kanë marrë vendim që të fillojnë mbledhjen e 10 mijë nënshkrimeve që kjo çështje të rikthehet në Kuvend, duke shtuar se peticioni do të fillojë të premten, raporton Ekonomia Online.

“Organizatat  e dala nga lufta kanë marrë vendim që të bëjnë një peticion kundër Gjykatës Speciale që e kanë votuar deputetët e Kosovës, me nr. 05/L0553. Ne nuk jemi kundër Gjykatës Speciale, por mendojmë se ajo është e njëanshme”.

“Peticioni fillin më së largu të premten. Me 10 mijë nënshkrimet e tubuara synojnë të rikthejnë për shqyrtim këtë çështje në Kuvend”.

Ndërsa nënkryetari i OVL-së të UÇK-së, Nasim Haradinaj, tha se me këtë është shkelur e drejta njerëzore.

Por Gjykata Speciale tashmë është gati dhe pritet që shumë shpejt prokurorët e saj të nisin punën e tyre.

Kështu ka thënë ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri. Ai u zotua se si ministër do t’ua mundësojë familjarëve të personave që do të gjykohen, që t’i vizitojnë ata gjatë kohës sa gjenden në procesin e gjykimit.

Ndryshimet kushtetuese që i hapën rrugë krijimit të kësaj gjykate u patën miratuar në parlament në gusht të 2015-ës.

Të ngjashme