Vidal kapet “mat” në Napoli, kiliani dhuarata e parë për Ancelottin?

Prishtinë | 24 Maj 2018 | 10:31 | Nga

Do të jetë Arturo Vidal dhuarata e parë e Aurelio De Laurentiis për Carlo Ancelottin? Për të marrë përgjigjen zyrtare duhet pritur disa ditë, por është fakt se mesfushori kilian është shfaqur në aeroportin e Napolit, me siguri për të mbyllur bisedimet me nënkampionët e Italisë. Ish-mesfushori i Juventusit dhe i Bayernit të Mynihut, ishte përfshirë nga trajneri si ndër kryesorët në listën e përforcimeve të verës. Ai është i disponueshëm për t’u kthyer në Serie A, teksa kartoni i tij vlerësohet 40 milionë euro.

Takimi mes Ancelottit dhe Arturo Vidal gjatë ndeshjes së lamtumirës së Pirlos është pikënisja e bisedimeve për tranfserimin e kilianit në “San Paolo”.

Vidal është njeriu i duhur për të rritur cilësinë e mesfushës, pavarësisht se çfarë do të ndodhë me Marek Hamsik. De Laurentiis po bën gjithçka shumë seriozisht dhe e ka nisur merkaton me gazin në maksimum. Vidal, gjithsesi, duhet të pranojë ulje të pagës, që në fund palët të shtrëngojnë duart.

Merkatoja e Napolit, në fakt, pritet të ofrojë disa surpriza. Në rast të një largimi të mundshëm të Callejon, drejtuesit e të kaltërve do të synojnë t’i rrëmbejnë Milanit Suson, i cili do të lirohej nga kuqezinjtë për 38 milionë euro, pasi kaq është shuma në klauzolën e tij. Sipas mediave italiane, lojtari gëzon pëlqimin e trajnerit të ri Ancelotti, i cili e shikon spanjollin si një profil ideal për skemat e tij.

24-vjeçari ka një kontratë deri në 2022 me klubin nga “Milanello”, por situata e ndërlikuar financiare mund ta shtyjë Milanin të sakrifikojë futbollistin.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme