Vincenzo Paglia viziton Pediatrinë, fëmijët e sëmurë do të dërgohen në Itali

Prishtinë | 20 Mar 2017 | 17:01 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Arqipeshkvi i Vatikanit, Vincenzo Paglia, ka vizituar sot Qendrën  Klinikën Universitare të Kosovës (QKUK) dhe Repartin e Hemato-Onkologjisë, ku ka parë nga afër gjendjen e fëmijëve të cilët trajtohen këtu nga sëmundjet malinje.

Ekonomia Online, që ka përcjellë këtë vizitë, merr vesh se Paglia po shikon mundësitë që fëmijët kosovarë të shërohen në spitale të specializuara në Itali, si dhe mundësi të tjera bashkëpunimi me spitalet italiane.

“Fëmijët janë thesari i një kombi dhe unë me të vërtetë jam prekur shumë nga mënyra se si infermierët dhe mjekët e këtij spitali merren me këta fëmijë, me çfarë kënaqësie dhe përkushtim merren me jetën e këtyre fëmijëve”, tha Paglia, pasi ka vizituar disa nga fëmijët e sëmurë.

“Unë jam i bindur duke parë atë që kam parë sot në këtë spital që e ardhmja e Kosovës ndikohet shumë nga kurimi, nga përkushtimi që Kosova duhet të ketë ndaj të vegjëlve, ndaj të dobëtëve, sepse kjo është shenjë e së ardhmes së Kosovës”, ka thënë prifti italian.

Paglia, aktualisht presidenti i Akademisë Papnore të Selisë së Shenjtë për Jetën, është i njohur për mbështetjen që ka dhënë për Kosovën gjatë viteve 1990-të, por edhe çlirimit të Kosovës.

Paglia po qëndron në Kosovë me ftesë të presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi. Ai nesër do të marrë një çmim nga Universiteti i Prishtinës.

Violeta Graiqevci-Uka, shefe e Repartit të Hemato-Onkologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), tregoi më shumë për qëllimin e vizitës.

“Kemi biseduar si të bëhet ky bashkëpunim me spitalet italiane që na ndihmojnë në shërimin e këtyre fëmijëve si dhe bashkëpunimin ndër-institucional përmes ministrive, përmes organizatave ose përmes institucioneve shtetërore, që këta fëmijë ta kenë më të lehtë shërimin e plotë të tyre dhe këta fëmijë që të shërohen në Kosovë duke i plotësuar kushtet, duke bërë trajnime nga ana e mjekëve dhe infermierëve që këta fëmijë më lehtë ta kalojnë sëmundjen dhe të kenë një shërim të plotë dhe afatgjatë”, tha Graiqevci-Uka, për Ekonomia Online.

Paglia ka kërkuar një listë të kërkesave nga Klinika e Pediatrisë në mënyrë që të njëjtën ta nisë tek shteti i tij dhe të përkrahet Klinika  e Pediatrisë.

Të ngjashme