Vitia rrezikohet nga vërshimet shkaku i mbeturinave (Foto)

Prishtinë | 08 Nën 2016 | 12:19 | Nga

Komuna e Vitisë ka apeluar te qytetarët e saj që të mos hedhin mbeturina nëpër kanale në mënyrë që të parandalohen vërshimet.

Drejtoria e Inspeksionit, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike dhe në mbështetje të Njësisë së Zjarrfikësve, kanë intervenuar në hapjen dhe pastrimin e kanalit në rrugën “Xhemajl Ademi” prapa Shtëpisë së Kulturës në Viti, i cili kanal ishte mbyllur nga mbeturinat që ishin hedhur aty.

Kjo ka bërë që të rrezikohen banorët e lagjeve përskaj nga vërshimet e mundshme, por që pas këtij intervenimi, besohet që gjendja do të jetë nën kontroll, raporton EkonomiaOnline.

Drejtori i Drejtorisë së Inspeksionit në Viti, Skender Ahmeti, ka njoftuar se janë vazhdimisht duke përcjellë gjendjen në terren, sa i përket rrezikut nga vërshimet.

Ai ka apeluar tek qytetarët që të jetë të ndërgjegjshëm në hedhjen e mbeturinave në kanale dhe skaj tyre që mund të ndikojnë në mbylljen e kanaleve dhe të ndikojnë në përmbytje nga të reshurat.

“Shiu që po vazhdon të bie që nga mbrëmë e që pritet të vazhdojnë edhe gjatë tërë ditës, mund të përkeqësojnë situatën në qytet apo edhe lokalitete, andaj kërkohet nga qytetarët që të jetë të gatshëm për intervenim apo të lajmërojnë organet kompetente në çfarëdo rasti”, ka thënë Ahmeti.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme