Vjosa Osmani i ndan Rifat Jasharit “Urdhrin e Lirisë”

Prishtinë | 28 Nën 2020 | 19:49 | Nga Ekonomia Online

Sot në Ditën e Flamurit, Vjosa Osmani, ushtruese e detyrës së presidentit i ka ndarë Rifat Jasharit “Urdhrin e Lirisë”. Rifat Jashari është djali i Shaban Jasharit dhe vëllai i Hamëz Jasharit dhe komandantit legjendar Adem Jashari.

“Akordimi i Urdhrit të Lirisë për Rifat Jasharin është nderim ndaj jo vetëm atij si një trashëgimtar i shpirtit të komandantit dhe familjarëve të tjerë të rënë, por mirënjohje për atdhetarin që nuk pushon kurrë sa herë që i jepet rasti ta ngrisë zërin për unitet e bashkim rreth vlerave të lirisë”, thuhet në mesazhin e Osmanit.

“Rifat Jashari është vetëm njëri nga anëtarët e familjes Jashari, i cili ishte krah rezistencës së kësaj familje që vuri themelet e lirisë së Kosovës. Ai ishte aty më 30 dhjetor të vitit 1991, kur bashkë me Ademin e Hamzën, rezistuan ndaj sulmit të forcave serbe, të bindur se liria nuk ka kusht. Në të njëjtën vazhdë, më 22 janar, 1998, në sulmin e forcave serbe është plagosur vajza e Rifatit, Iliriana. Teksa në mars të vitit 1998, në mesin e anëtarëve të familjes Jashari vritet gruaja e Rifatit bashkë me tri vajzat e tij”.

“Por, kjo nuk është e tëra që bëri Rifati për lirinë e vendit. Ai është shenja më tipike e gjallë e Shaban Jasharit, komandant Adem Jasharit dhe Hamzës. Ai është vazhdimësia e përpjekjes për liri dhe për një Kosovë siç e deshën të gjithë të rënët e familjes Jashari e më gjerë. Me mesazhet e tij, Rifati prej kohësh është shndërruar në një zë të familjes Jashari që thërret për unitet për ta bërë Kosovën siç duam”, shkruhet tutje në postimin e Osmanit.

“Urdhri i Lirisë” u ndahet personave që kanë dhënë kontribut të lartë për liri të Kosovës.

Të ngjashme