Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore të Mitrovicës, Shyqyri Syla, është takuar sot me drejtorin e Drejtorisë Rajonale të Policisë në Mitrovicë-veri, Nenad Gjuriq, me zëvendës-drejtorin Besim Hoti si dhe me shefat e hetimeve të stacioneve policore Mitrovicë-Veriu, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq dhe të trafikut regjional në veri.
Në takim është diskutuar bashkëpunimi në mes të Prokurorisë Themelore të Mitrovicës dhe Policisë Rajonale të Mitrovicës-veri, me ç`rast është konstatuar se ekziston një bashkëpunim i shkëlqyeshëm mes tyre dhe u dakorduan që ky bashkëpunim të vazhdojë edhe në të ardhmen me qëllim të luftimit të dukurive negative në regjionin të cilin e mbulon kjo prokurori.
Po ashtu, temë e rëndësishme e takimit ka qenë diskutimi për lëndët e vjetra nëpër stacione policore. Kryeprokurori Syla ka kërkuar që këto lëndë të trajtohen me prioritet.
Raportohet se ata u pajtuan që çdo muaj të ketë takime të rregullta të kryeprokurorit me drejtuesit e Policisë së Rajonit të Mitrovicës- veri.