Vonimi i publikimit të rezultateve shton frikën në Gjakovë për përhapjen e Coronavirusit

Prishtinë | 11 Qer 2020 | 19:30 | Nga Ekonomia Online

Qe tri ditë Instituti i Shëndetit Publik nuk i ka bërë publike rezultatet e mostrave për koronavirus të 19 personave, pjesë e stafit mjekësor të Spitalit të Gjakovë, të cilët kishin kontakt me një të infektuar.

Për zyrtarët komunalë kjo është e pajustifikueshme, marrë parasysh që bëhet fjalë për numër të madh të njerëzve.

Ushtruesi i detyrës së Drejtorit të Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, Ferdinand Kolaj, ka thënë se nuk e di arsyen e këtyre vonesave, duke shtuar se stafi mjekësor është në panik, pasi një pjesë e tyre mund t’i kenë infektuar familjet apo personat e tjerë, raporton KOHA.

Para disa ditëve një paciente nga Komuna e Rahovecit ka qenë e hospitalizuar në Spitalin Regjional të Gjakovës.

Më pastaj ka rezultuar pozitive me Covid-19. Ajo ka qëndruar në spital për më shumë se një javë.

Megjithëkëtë, drejtori i Spitalit, Hilmi Shala, thotë se stafi mjekësor e ka vazhduar punën dhe asnjëri nuk është vetizoluar.

Televizioni ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga IKSHPK-ja për publikimin e këtyre rezultateve, por ajo nuk është përgjigjur. Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka kritikuar këtë vonesë, duke shkruar në Facebook se qyteti mund të kthehet në vatër të re të infeksionit.

Në Gjakovë ka 8 javë që nuk ka pasur asnjë rast pozitiv me koronavirus.

Të ngjashme