Gjashtë ditë pas ekzekutimit të Arben Bilalit, e vetmja provë në duart e policisë është automjeti që u përdor për realizimin e vrasjes.
Makina “Mercedes Benz CLS” me targa të vjedhura, u gjet e braktisur disa orë pas ngjarjes në periferi të kryeqytetit, jo shumë larg zonës së Selitës, ku 50-vjeçari u qëllua për vdekje me breshëri automatiku.
Burime nga grupi i hetimit thonë për Top Channel se automjeti është dërguar në laboratorin e Policisë Shkencore, ku po i nënshtrohet një ekzaminimi të detajuar.
Hetuesit shpresojnë që nga kjo procedurë të përfitohen të dhëna të vlefshme për vrasësit, si gjurmë gishtash, qime floku, apo mbetje të tjera që mund të çojnë në identifikimin e autorëve.
Hetuesit dyshojnë se autorët e vrasjes nuk kanë pasur në plan ta braktisin makinën në këtë zonë, por janë frikësuar nga prania e menjëhershme e patrullave të policisë, në rrugët lidhëse me daljen nga unaza e madhe.
Nga ana tjetër, uniformat blu kanë marrë në pyetje dhjetëra persona të dyshuar, apo që mund të kishin informacion për ngjarjen, por pa sukses. Me gjithë këto zhvillime, pista kryesore ku janë fokusuar hetimet mbetet ajo e hakmarrjes, për shkak të së kaluarës së viktimës, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që ekzekutorët të jenë vrasës me pagesë.