Vuçiq: Do të takohem me Thaçin në Paris

Prishtinë | 31 Tet 2018 | 12:43 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka përsëritur sot se serbët dhe shqiptarët janë shumë larg nga arritja e një kompromisi, dhe se është joreale të pritet që më 11 nëntor në Paris do të jetë një ditë e rëndësishme për zgjidhjen e çështjes së Kosovës ani pse sipas tij “atje do të jenë ata që janë patjetër të interesuar në këtë çështje”

Ai megjithatë theksoi se zgjidhja në mes të të dyja vendeve nuk ka pa pajtimin e serbëve dhe shqiptarëve.

I pyetur nga gazetarët nëse ai do të takohet me homologun e tij kosovar, Hashim Thaçin në Paris, ai tha se do, por në prani të evropianëve, në qoftë se përfaqësuesit e Prishtinës e kërkojnë një gjë të tillë

“Unë do të takoj Thaçin, sepse është më mirë të flasësh, sesa të ndodhin çudira që po ndodhin. Por është joreale të arrihet një zgjidhje, “theksoi ai dhe përsëriti se kjo është për shkak se serbët dhe shqiptarët janë larg kompromisit, përcjell Klan Kosova.

Dy presidentët më 11 nëntor do të jenë pjesë e shënimit të përvjetorit të 100-të të armëpushimit në Francë, i nënshkruar në mes të Forcave Aleate dhe Gjermanisë për përfundimin e Luftës së Parë Botërore në Frontin Perëndimor.

Klan Kosova pati raportuar për takimin Thaçi-Vuçiq që pritet të mbahet më 11 nëntor në kryeqytetin francez.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme