Vuçiq: Lista Serbe mund të mos marrë pjesë në zgjedhjet e 17 tetorit

Prishtinë | 28 Gus 2021 | 14:12 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ka bërë thirrje Prishtinës që të anulojë aktgjykimin e deputetit të Listës Serbe, Ivan Todosijevic, të cilit Gjykata e Apeli ia ka konfirmuar dënimin me dy vjet burg për mohimin që i njëjti ia ka bërë ma Masakrës së Reçakut.

Vuçiq thotë se në rast se nuk anulohet ky vendim, atëherë marrëveshja e Brukselit nuk do të ekzistojë më.

I pari i shtetit serb, është pyetur se në rast se vendimi kundër Todosijeviqit nuk anulohet, tha se të gjitha vendimet janë të mundshme.

“Nëse vendimi i Todosijeviqit nuk anulohet, është e qartë për ju se marrëveshja e Brukselit, me vendim të shqiptarëve, nuk ekziston më, kështu që atëherë të gjitha vendimet janë të mundshme”, është shprehur Vuçiq, shkruan Kossev, transmeton Klankosova.tv.

Tre ditë më parë, Gjykata e Apelit konfirmoi vendimin e Gjykatës Themelore të dhënë për deputetin e Listës Serbe, Ivan Todosijeviç, me dy vjet burg, për një deklaratë të bërë në mars të vitit 2019 ku kishte deklaruar se “arsye për agresionin e NATO-s ka qenë e ashtuquajtura katastrofë humanitare në Kosovë dhe masakra e trilluar e Reçakut”.

Vendimi i Gjykatës së Apelit u dënua nga udhëheqja shtetërore serbe, Lista Serbe dhe disa organizata të shoqërisë civile serbe në Kosovë.

Të gjithë ata shprehën të njëjtën pikëpamje – se vendimi i Gjykatës së Apelit shkel Marrëveshjen e Brukselit për Drejtësinë, e cila përcakton se në rastet që vijnë nga zonat me shumicë serbe, mund të vendosin vetëm dhomat e veprimit, në të cilat janë dy persona me kombësi serbe dhe një person me kombësi shqiptare.

Ndërsa, për vendim e Gjykatës së Apelit ka reaguar edhe zëdhënsi i Bashkimit Evropian për Siguri dhe Politikë të Jashtme duke thënë se Kosova, sikurse Serbia duhet t’i përmbahen marrëveshjeve të nënshkruara.

Të ngjashme