Vuçiq: Një marrëveshje politike me Kosovën është ende larg

Prishtinë | 22 Sht 2020 | 17:17 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq ka ulur shpresat të martën se marrëveshja e ndërmjetësuar nga SHBA-ja për bashkëpunim ekonomik me Kosovën mund të çojë së shpejti te një marrëveshje politike me Kosovën. Normalizimi politik me Kosovën, që e ka shpallur pavarësinë në vitin 2008, është një parakusht për futjen e Serbisë në Bashkim Evropian.

Serbia dhe Kosova janë pajtuar të bëjnë hapa para drejt një bashkëpunimi ekonomik, përfshirë punimin në projekte të përbashkëta infrastrukturore, në marrëveshjet që nënshkruan në Shtëpinë e Bardhë më 4 shtator, të cilën presidenti i SHBA-së, Donald Trump, e ka quajtur sukses të madh.

Vuçiq në intervistë për agjencinë Reuters i ka përshkruar këto marrëveshje si hap i madh në drejtimin e duhur, por thotë se ka ende shumë rrugë për të arritur një normalizim politik.

“Mendoj se marrëveshjet e tilla janë shumë të rëndësishme për të ruajtur paqen dhe për të zgjidhur një herë e përgjithmonë problemet tona që të pastrojmë të ardhmen për fëmijët tanë. Nuk po them se jemi afër një zgjidhje politike”, ka thënë Vuçiq, ndonëse ai e ka përshkruar bashkëpunimin ekonomik si “kyç“ për çdo marrëveshje të ardhshme politike. Të martën, delegacioni i SHBA-së i drejtuar nga Emisari Special i administratës Trump për bisedimet Kosovë – Serbi, Richard Grenell, ka vizituar Serbinë për të biseduar për mundësinë e financimit të projekteve. Ky delegacion vizitoi Kosovën të hënën. Në intervistën për Reuters, Vuçiq e ka përshkruar të ardhmen e Serbisë që do të përfshinte balancimin e marrëdhënieve me Lindjen e Perëndimit, ndonëse do të nënkuptonte kjo që herë pas here të zemëronte ndonjërën palë. “Nëse jeton në një shtet të vogël që gjeografikisht është në udhëkryq, atëherë politika jote duhet të jetë mbajtja e paqes dhe stabilitetit, qoftë duke mos pasur përplasje me askënd, që është e pamundur, ose qoftë duke u përplasur me të gjithë në mënyrë të barabartë”, ka thënë Vuçiq.

“Serbia është në rrugën e saj evropiane, por Serbia duhet të jetojë, dhe ka miq në SHBA, por edhe miq në Moskë e Pekin nga të cilët nuk është e turpëruar”.

Të ngjashme