Vuçiq: Pa Tempullin e Shën Savës nuk do të mbijetonin as populli, as shteti serb

Prishtinë | 28 Qer 2026 | 09:31 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi se pa Tempullin e Shën Savës nuk do të mund të mbijetonte as populli serb dhe as shteti serb, raporton Ekonomia Online.

“Duke ngritur këtë tempull tokësor, besoj se kemi bërë një vepër të madhe si për popullin tonë, ashtu edhe për kishën tonë të shenjtë, pa të cilën as populli ynë dhe as shteti ynë nuk do të mund të mbijetonin”, tha presidenti Vuçiq pasi mori pjesë në nënshkrimin e kontratës për sigurimin e mjeteve financiare për punimet përfundimtare në Tempullin e Shën Savës në Beograd.

Ai theksoi se është i lumtur që gjatë 12 viteve të fundit është investuar shuma më e madhe në historinë serbe për ndërtimin e Tempullit të Shën Savës.

Sipas tij, vetëm gjatë këtyre 12 viteve janë investuar 88 milionë euro, ndërsa sot u nënshkrua një kontratë me vlerë 6.5 milionë euro, nga gjithsej 194.5 milionë euro.

“Ndryshe nga të tjerët që do ta bënin këtë fshehurazi nga frika e reagimeve të dikujt, ne e theksojmë këtë me krenari dhe mendojmë se nuk ka mënyrë më të bukur, më të shenjtë dhe më të mirë për të shpenzuar paratë. Duke ngritur këtë tempull tokësor, besoj se kemi bërë një vepër të madhe për popullin tonë dhe për kishën tonë të shenjtë, pa të cilën as populli ynë dhe as shteti ynë nuk do të mund të mbijetonin”, tha Vuçiq.

Ai falënderoi Patriarkun serb Porfirije, duke thënë se ai kujdeset jo vetëm për këtë faltore, por edhe për popullin serb të rrezikuar në, siç u shpreh ai, Kosovën dhe Metohinë e “kryqëzuar”.

“Ju falënderoj që kujdeseni për njerëzit tanë dhe për popullin tonë kudo që ata janë të rrezikuar, kudo ku shteti serb nuk arrin t’i mbrojë. Faleminderit, sepse kjo e bën të pandashëm unitetin e shtetit serb, të popullit serb dhe të Kishës Ortodokse Serbe”, tha Vuçiq duke iu drejtuar patriarkut.

Presidenti Vuçiq falënderoi edhe kryeministrin prof. dr. Gjuro Macut, duke theksuar se ai sot, me nënshkrimin e kontratës, hyri në histori si një nga njerëzit që jo vetëm mori pjesë, por dha edhe kontribut kyç në përfundimin e kësaj faltoreje të madhe serbe.

Ai tha se beson se pas përfundimit të punimeve, pas disa vitesh, do të nevojiten ndërhyrje të reja, si riparimi i çatisë, zbukurimi i pjesës së jashtme dhe përmirësimi i ndriçimit ambiental.

“Shteti do të jetë gjithmonë në shërbim të Kishës Ortodokse Serbe, ashtu siç Kisha Ortodokse Serbe është gjithmonë në shërbim të popullit serb”, theksoi Vuçiq.

Duke kujtuar se sot është Vidovdani, dhe se në këtë ditë “çdo gjë shihet qartë”, Vuçiq citoi peshkopin Nikolaj Velimiroviq, i cili kishte thënë se Shën Sava ishte “fëmija më i bukur serb që ndoqi Krishtin”.

“Atij biri më të bukur serb, murgut, burrit të shtetit dhe ndriçuesit tonë, i kemi kushtuar, aq sa kemi mundur, dashurinë dhe punën tonë, duke u bërë brezi që do ta përfundojë këtë tempull madhështor”, tha ai.

Vuçiq shtoi se sot, nën kupolën madhështore të Tempullit, e kaluara serbe shtrëngon dorën me të ardhmen.

“Tempulli na kujton se kush kemi qenë, kush jemi dhe çfarë duhet të jemi”, theksoi ai.

Duke cituar shkrimtarin Milosh Cërnjanski, i cili kishte thënë: “Dashuria është si dielli: atij që e ndriçon i jep jetë, ndërsa atë që e anashkalon e lë në errësirë”, Vuçiq tha se qytetarët e Serbisë kanë fatin që janë ndriçuar nga dielli i dashurisë dhe se Tempulli i Shën Savës është dëshmia më e bukur e kësaj dashurie.

Ai kujtoi gjithashtu se Cërnjanski kishte thënë për Shën Savën se ishte shkrimtari i parë serb që krijoi një letërsi që nuk vdes dhe se shkroi librin e parë serb me vlerë të përhershme, jo vetëm si tekst kishtar, por si fjala e gjallë e një njeriu që e do vendin dhe popullin e tij. Sipas tij, largimi i Shën Savës në Malin Athos ishte një akt revolucionar i një princi të ri, i cili në pallat ndjeu zbrazëtinë e lavdisë së përkohshme dhe shkoi të kërkonte lirinë absolute në shpirt.

“Shën Sava është i pari në çdo kuptim. Kur ndonjë serb bën diçka të mirë diku, ajo gjithmonë ka një lidhje me Shën Savën. Këtë e dinte Teodosije, e dinte Domentijani, e dinte Duçiqi dhe e dinte Shën Peshkopi Nikolaj”, shtoi Vuçiq.

Duke thënë se ishte krenar që kishte marrë pjesë këtë mëngjes në ceremoninë madhështore të nënshkrimit të kontratës, presidenti Vuçiq uroi të gjithë qytetarët për festën e Vidovdanit.

Të ngjashme