Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha sot se është e qartë se Prishtina nuk do ta heqë taksënmbi produktet serbe në periudhën e fundit dhe se situata pritet të përkeqësohet.
Sipas tij, Serbia do të luftojë për të ruajtur paqen, stabilitetin dhe interesat kombëtare.
“Për ne është e rëndësishme që të ruajmë paqen, nuk është një kohë e lehtë përpara, por ne do të përpiqemi për të ruajtur paqen dhe stabilitetin dhe interesat tona kombëtare”, tha ai.
Drejtuesi i shtetit serb tha se nëse taksa mbi mallrat serbe nuk shfuqizohet atëherë nuk do të ketë vazhdim të dialogut me Kosovën.
Ai i ka cilësuar si të rrezikshme deklaratat e kryetarit të Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri, për bashkimin e Mitrovicës, si dhe deklaratat e zyrtarëve të Prishtinës.