E shihni sa e vështirë është lufta për mbrojtjen e pavarësisë së vendit, kur detyrohesh të bisedosh e të bësh marrëveshje me ata që e kanë njohur pavarësinë e, siç është shprehur ai, të ashtuquajturit shtet të Kosovës, ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë një fjalimi në qytetin e Nishit, transmeton Koha.net raportimin e medieve të Beogradit.
“Lufta është e vështirë sepse edhe kur bisedojmë për Kosovën, kur bisedojmë për çështjen më të rëndësishme kombëtare nuk bisedojmë me ata që do të duhej të bisedonim, por me mbrojtësit e tyre të fuqishëm, dua ta dini këtë”, u ka thënë Vuçiq atyre që u drejtohej.
“Nuk e kemi problem të bisedojmë me shqiptarët dhe as të merremi vesh me ta, problemi shfaqet kur detyrohesh të merresh vesh me ata që e kanë shkatërruar Serbinë më 1999, dhe me ata që e kanë njohur pavarësinë e të ashtuquajturit shtet i Kosovës të vitit 2008”, e citojnë mediat serbe Vuçiqin. “Të tillët janë shumë të fortë dhe të fuqishëm”, ka shtuar ai.
Vuçiq ka thënë se në këto rrethana politike duhet të tregohet mençuri e madhe, arsye, racionalitet dhe “t’i themi vetes: do ta m,bromë pavarësinë tonë, do të mbrojmë vendin tonë dhe nuk do ta rrezikojmë në asnjë mënyrë”, transmeton Koha.net.