Presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka thënë se shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, Milan Mojsilloviq, ka zhvilluar një bisedë me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash, të cilën e ka cilësuar si “bisedën më të keqe” që Mojsilloviqi ka pasur me të deri më tani.
Ai i bëri këto komente kur u pyet nëse kishte biseduar me gjeneralin Mojsilloviq pas takimit të tij me komandantin e KFOR-it. Vuçiqi kishte njoftuar të hënën se Mojsilloviqi do të diskutonte me Ulutashin për vendimin e KFOR-it për të reduktuar praninë e përhershme në urën kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
“Mojsilloviqi ka biseduar me njerëzit e KFOR-it, me komandantin Ulutash, një turk, i cili tha: ‘Nuk ka problem, Policia e ashtuquajtur e Kosovës do të punojë së bashku me ne…’. Vërtet, nuk ka problem? Mirë, tani e kuptojmë pse bëtë gjithçka që bëtë në vitin 1999. E kuptojmë gjithçka dhe nuk ka ndonjë filozofi të madhe, gjithçka është në rregull”, ka thënë Vuçiq, raporton indeksonline.
Sipas tij, nga kjo bisedë, Serbia tashmë e di “me kë ka të bëjë”.
“Thjesht ndaloni së pretenduari se jeni aty për ndonjë lloj dialogu apo për çfarëdo tjetër, sepse nuk jeni në favor të dialogut”, shtoi presidenti serb.
Vuçiq komentoi edhe reagimet e Komisionit Evropian lidhur me deklaratat e tij për mundësinë e ndryshimit të rrjedhës së lumit Ibër.
“Gjithçka u bë që ne ta përmbushnim, që ata ta përmbushnin atë obligim. Ata nuk e përmbushën dhe as që u shkon mendja ta përmbushin. Dhe thonë se nuk u shkon mendja ta bëjnë. Ndërkohë, ju u jepni gjithçka tjetër vetëm sepse dëshironi ta largoni dhe dëboni Serbinë nga Kosova”, ka thënë Vuçiq.
Të hënën, KFOR-i njoftoi se ka nisur procesin gradual të tërheqjes së pranisë së përhershme nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Aty tash shihen edhe automjete të Policisë së Kosovës.