VV-ja kërkon të diskutohet për zgjedhjet në Podujevë, Daka i thotë se ato caktohen nga Presidenti

Prishtinë | 28 Maj 2020 | 13:57 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në mbledhjen e sotme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar në që në rend të ditës të futet edhe diskutimi për mbajtjen e zgjedhjeve lokale në Podujevë, ta cilat u shtyn për shkak të pandemisë së Coronavirusit, raporton Ekonomia Online.

Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga kryetarja Valdete Daka, ta vë në rend dite edhe temën për zgjedhjet në Podujevë. Ai tha se ka ardhur koha për zgjedhjet në Podujevë, kësisoj ka kërkuar të sqarohet rreth mbajtjes së tyre.

“Deri sot nuk kemi pasur pika të tilla të rendit të ditës. Është kompetencë ekskluzive e presidentit për t’u shpallur zgjedhjet në Podujevë. Ata që janë kompetent vendosin se kur do të mbahen këto zgjedhje. Nuk më duket e arsyeshme ta vendosim në votim sepse s’kemi çka të diskutojmë për këto zgjedhje dhe s’janë në kompetencën tonë. Më duket politizim i kësaj çështjeje. Kur na kërkohen, sigurisht se ne i mbajmë”, tha Daka.

Sami Kurteshi, vlerësoi së është koha të diskutohet për zgjedhjet, pasi sipas tij, janë shtyrë në afat të pacaktuar.

“Ne jemi të gjithë politik, s’ka nevojë të thuhet politizim sepse ne jemi të gjithë përfaqësues politikë. Sa i përket shtyrjes së zgjedhjeve, natyrisht se ne kemi marrë vendim të drejtë mirëpo sipas ligjit, kemi shtyrë zgjedhjet pa datë të caktuar. Ky është lëshim dhe nuk ka qenë e lejuar të shtyhen për afat të pacaktuar. Është momenti që në bazë të rekomandimeve, të caktojmë datën”, tha Kurteshi.

Ndërsa Daka, duke aluduar në çështjet e ngritura nga Kurteshi, tha se zgjedhjet janë shtyrë nga presidenti, e jo nga KQZ-ja prandaj sipas saj, KQZ-ja s’mund ta vendosë datën e tyre.

“Ne s’marrim vendime për zgjedhjet as s’i shpallim ato”, tha Daka.

Sami Hamiti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, po ashtu u pajtua me Dakën për të mos diskutuar për datën e zgjedhjeve pasi siç tha ai, nuk vendos KQZ-ja.

Daka tha se shumë masa të pandemisë mbesin në fuqi dhe pandemia nuk ka përfunduar.

“Prandaj, s’jemi ne pala e interesuar që duan zgjedhje, ne jemi argat të subjekteve politike për t’i organizuar ato. Në momentin kur vlerëson IKSHPK-ja e kushdo që është kompetent, ne i organizojmë”, u shpreh kryetarja e KQZ-së.

KQZ pezullon dy parti

KQZ në këtë mbledhja ka pezulluar dy parti politike për shkak se nuk kanë azhurnuar të dhënat vjetore.

Bëhet fjalë për partitë politike Lëvizja për Drejtësi (LD) dhe Samostalna Liberalna Stranka (SLS).

Yll Buleshkaj nga Zyra për Regjistrim të Partive Politike dhe Certifikim tha se KQZ-ja duke u mbështetur në rregullën zgjedhore për regjistrimin dhe veprimin e partive politike u ka dhënë afat prej 20 ditësh për të dorëzuar të dhënat e ndryshuara vjetore.

“KQZ, duke u mbështetur në rregullën zgjedhore për regjistrimin dhe veprimin e partive politike u ka dhënë afat prej 20 ditësh për të dorëzuar të dhënat e ndryshuara vjetore. Nëse brenda afatit të paraparë nuk dorëzohen ndryshimet e kërkuara, hapi i radhës i KQZ-së është çregjistrimi i këtyre partive politike. Këto parti politike kana afat 24 orë për të parashtruar ankesën e tyre eventuale në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa”, tha ai.

Në këtë mbledhje u bë e ditur se nga 48 parti politike të regjistruara, vetëm një parti politike nuk ka dorëzuar në afatin e paraparë raportin e shpenzimeve vjetore.

“Afati i fundit për dorëzimin e raporteve të vitit 2019 ka qenë data 1 mars 2020. Evropska Stranka Demokratske Akcije (ESDAK) është partia politike e cila është gjobitur me 1,000 euro gjobë bazë si dhe me gjobë ditore prej 0.01 për qind të kësaj shume për secilën ditë vonesë deri në dorëzimin e raportit vjetor financiar”, tha ai.

Të ngjashme