Lëvizja Vetëvendosje thotë se kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, pa vullnet e pa fuqi për t’i luftuar strukturat paralele, emëroi sot drejtuesin e strukturave paralele Ivan Todosijeviqin, për ministër të Administrimit të Pushtetit Lokal.
VV thekson se drejtimi i institucioneve nga strukturat ilegale është luftë ndaj shtetësisë dhe funksionimit të Republikës. “Ndërkaq, emërimi i tyre prej vetë Kryeministrit është i pajustifikueshëm dhe i pafalshëm”.
“Kjo Qeveri, sikur edhe të kaluarat, të vetmen gjë që ka bërë me strukturat paralele është amnistimi e tash edhe rehabilitimi i tyre. Kjo Qeveri e paralizuar nuk bën punë të tjera pos atyre që ia cakton Beogradi. Mustafa në vend se të jetë udhëheqës, po bëhet ekzekutues i punëve të strukturave paralele që nuk e njohin dhe e luftojnë shtetin e Kosovës”, thuhet në një reagim të këtij subjekti opozitar.
“Strukturat paralele duhet të dënohen për krimet e kryera. Por, Mustafa nuk e ka as qëllim e as dëshirë dhe nuk e pranon që e ka për detyrë”, përfundon reagimi.