VV: Veseli e Mustafa po kalkulojnë veç mbajtjen e kolltuqeve

Prishtinë | 08 Maj 2017 | 12:19 | Nga Kaltrina Zymberi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri, dhe shefi i grupit parlamentar, Glauk Konjufca, kanë thirrur një konferencë shtypi, pas tërheqjes së Qeverisë, sikur thanë ata, nga marrëveshja për demarkacionin.

Ymeri tha se edhe ky veprim tregon se Kadri Veseli dhe Isa Mustafa në kokën e tyre e kanë vetëm një gjë – mbajtjen e kolltuqeve. Sipas tij, secilin veprim të tyre e kanë kalkulim, njëri për ta mbajtur postin e kryeministrit, e tjetri eventualisht për të ardhur në krye të Qeverisë.

“Edhe një herë po dëshmohet se këto dy parti, me udhëheqjet që i kanë, nuk janë parti që ia duan të mirën Kosovës e as që mendojnë për të mirën e saj, por secilin veprim të tyre politik e kanë kalkulim për kolltuk dhe kjo e dëshmon dhe e bën edhe më urgjente rrëzimin e kësaj qeverie dhe zgjedhjet e lira dhe demokratike për Republikën e Kosovës, në të cilën këto dy subjekte nuk e kanë mundësinë ta themelojnë më qeverinë”, theksoi Visar Ymeri, duke shtuar tutje se në vend të tërheqjeve të shumta të Qeverisë gjatë gjithë mandatit nga përgjegjësitë e shumta që i takojnë, do të duhej të kishte vetëm një dorëheqje të saj, në mënyrë që të mos cenohet shtetësia e Kosovës.

“Qeveria sot u zmbraps nga sjellja e demarkacionit në Kuvend, sepse e di se ajo marrëveshje është e dëmshme”, theksoi Ymeri.

“Dështimi i Qeverisë në procedimin e kësaj marrëveshje flet edhe për të, por edhe për marrëveshjen, pasi që Qeveria është e vetëdijshme se ratifikimi i demarkacionit me Malin e Zi është i dëmshëm për shtetësinë e Kosovës”.

Ai tha se ekzekutivi nuk ka shprehur vullnet për dy vite për ta rishikuar këtë marrëveshje, si dhe shtoi se ditëve të fundit ka pasur një garë mes Kadri Veselit dhe Isa Mustafës, e cila lidhet drejtpërdrejt me synimet për pushtet nga të dyja palët.

“Është shumë mirë që kjo marrëveshje nuk u ringjall sot”.

Shefi i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, u shpreh i bindur se Qeveria do të bjerë të mërkurën, kur në rend dite është votimi i mocionit të mosbesimit, të iniciuar nga 42 deputetë të Nismës dhe partive të tjera opozitare. Ai pret që rrëzimin e Qeverisë ta votojnë edhe deputetë të koalicionit PDK-LDK.

“Vetë fakti se Qeveria nuk e ka proceduar demarkaconin në Kuvend është fakt që ekziston një masë kritike brenda mazhorancës kundër versionit aktual të demarkacionit”.

Ai e pranon se numrat e opozitës nuk janë ata që e kanë ndalur demarkacionin. “Natyrisht një kontribut shumë të madh e kanë dhënë qytetarët e Kosovës me protestat e tyre, duke filluar nga nëntori i vitit 2015 e deri te protestat e fundit, pastaj edhe opozita me rezistencën e saj në Kuvend ia ka dhënë një goditje demarkacionit, por këtu nuk duhet ta harrojmë edhe numrin e madh të deputetëve nga koalicioni qeverisës, të cilët praktikisht e kanë pamundësuar ardhjen e demarkacionit për t’u ratifikuar në Kuvend”, tha Konjufca.

Lëvizja Vetëvendosjes thotë se mbetet konsisente në qëndrimin e saj kundërshtues për demarkacionin, të cilën e konsiderojnë marrëveshje të vdekur, dhe e sheh të domosdoshme rënien e kësaj qeverie të mërkurën dhe shkuarjen e vendit në zgjedhje.

Të ngjashme