Xhaferi: Janë përkthyer amendamentet e ligjit për gjuhët

Prishtinë | 05 Shk 2018 | 17:45 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, Talat Xhaferi, përmes një kumtese ka informuar opinionin për siç thotë, transparencën e procesit të shqyrtimit të Ligjit për gjuhët, i cili aktualisht ndodhet në procedurë parlamentare në lexim të tretë.

Siç informon kabineti i kryeparlamentarit Xhaferi, të gjithë amendamentet janë arkivuar, përpunuar dhe ngjitur në e-parlament, dhe se shërbimi i Kuvendit ka vepruar dhe vepron në kuadër të kompetencave dhe detyrave të veta deri në përfundimin e tërësishëm të procesit.

Ndërkohë të gjitha amendamentet tashmë janë të përkthyera nga shërbimi i sektorit për përkthim, i cili punon në kuadër të Kuvendit të Republikës së Maqedonisë.

Duke marrë parasysh numrin e madh të amendamenteve, thuhet më tej në njoftim, të njëjtit duhet të shqyrtohen dhe të procedohen sipas dispozitave të rregullores për punën e Kuvendit, ndërsa më pas ligji do të shqyrtohet.

Kujtojmë se më 11 janar, Kuvendi i Republikës së Maqedonisë miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Sipas këtij ligji, parashikohet që në të gjitha organet shtetërore të vendit, përveç gjuhës maqedonase dhe shkrimit të saj, gjuhë zyrtare të jetë edhe gjuha që flitet nga 20 për qind e qytetarëve të Maqedonisë dhe shkrimi i saj, në këtë rast gjuha shqipe.

Gjashtë ditë më vonë presidenti i Republikës së Maqedonisë, Gjorge Ivanov, në një adresim para opinionit deklaroi se ka vendosur të mos e dekretojë miratimin e Ligjit me pretendimin se është miratuar pa debat publik dhe shkencor, si dhe pa përfshirjen e opozitës, akademikëve dhe ekspertëve.

Tashmë ligji në fjalë është rikthyer në procedurë parlamentare në lexim të tretë, megjithatë partia opozitare VMRO-DPMNE parashtroi 35 mijë amendamente me arsyetimin se dëshirojnë të rrisin vetëdijen e sjelljes së ligjit me konsensus.

Të ngjashme