Ymeri: Asociacioni do të zbatohet sipas Marrëveshjes së 2013-ës, me disa elemente shtesë

Prishtinë | 20 Mar 2023 | 18:26 | Nga Ekonomia Online

Analisti politik, Visar Ymeri, thotë se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe do të zbatohet në bazë të marrëveshjeve paraprake (të vitit 2013, e ndoshta me elemente edhe të 2015-ës) si dhe me kombinimin e praktikave të ndryshme evropiane që janë të zbatueshme në rastin e Kosovës.

Ymeri ka thënë se atij mund t’i ndërrohet emri, por është ai të cilin e ka kundërshtuar për sa vjet Vetëvendosje. Në një bisedë me Periskopin, ish-kryetari i Vetëvendosjes ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet ta tërheqë akuzën për tradhti që kishte bërë ndaj Thaçit e Mustafës për shkak të “Zajednicës” ose i duhet ta mbajë edhe mbi vete të njëjtën akuzë e stigmë.

“Asociacioni do të jetë i bazuar në marrëveshjen e vitit 2013 sepse aty e ka themelin juridik. Deklarimet e kryeministrit Kurti dhe të Presidentit të Serbisë kanë më pak rëndësi. Me rëndësi është teksti i Statutit të cilin do ta kemi fillimisht si propozim e pastaj si tekst final dhe të miratuar. Ai e determinon formën dhe statusin e Asociacionit e jo deklarimet e politikës ditore. Kemi pasur deklarime të fuqishme në procesin e dialogut deri tash. Nuk kanë ndryshuar ndonjë gjë thelbësore në proces e as në Marrëveshjen dakordimin për të cilën e dëgjuam të shtunën në Ohër”, tha ai.

“Kryeministri Kurti, pas takimit në Ohër dhe përmes takimit në Ohër, përfundimisht është shndërruar në politikan kosovar sikur tjerë kryeministra para tij. Pra e ka kuptuar se nuk mundesh dhe nuk bën të ballafaqohet me partnerët perëndimorë të Kosovës në çështjet sikur dialogu me Serbinë; nuk mundesh dhe nuk bën ta kuptosh politikën si luftë pakompromis, por që kompromisin, veçanërisht në dialogun me Serbinë, duhet ta kuptosh si vlerë dhe mundësi; dhe në fund se marrëveshjet e arritura duhen zbatuar dhe nuk ka si t’u iket atyre”.

“Kurti në Ohër ka marrë përsipër ta nisë dhe ta përfundojë procesin e themelimit të Asociacionit si një marrëveshje e nënshkruar më herët nga kryeministri Thaçi. Nëpër këtë proces kanë kaluar secili nga kryeministrat e Kosovës, kush me shumë e kush më pak. Kryeministri Kurti duhet të dalë dhe ta shpjegojë pse një marrëveshje e tillë sikur ajo në Ohër paska qenë e pashmangshme, pse të gjitha ato pika e propozime asnjëherë nuk i janë marrë parasysh; si dhe ta shpjegojë pastaj pse ka ndryshuar qëndrimet e mëhershme të tij e ta tërheqë tërë atë vrer a mal me akuza që u ka bërë liderëve tjerë për shkak të veprimeve të njëjta me këto që sot po i bën vetë. Më një fjalë ose Kurti do ta tërheq akuzën për tradhti që e kishte bërë ndaj Thaçit e Mustafës për shkak të ‘Zajednicës’ ose Kurti ta mbajë edhe mbi vete të njëjtën akuzë e stigmë”, tha Ymeri.

Sipas Ymerit insistimi i SHBA-ve për arritjen e një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, vjen për shkak të situatës së sigurisë në Evropë. Të cenuar si pasojë e invazionit rus në Ukrainë dhe se pa përfshirjen e SHBA-ve, procesi i dialogut nuk do të kishte përparuar.

“Mendoj që pa përfshirjen e ShBA-ve procesi i dialogut nuk kishte përparuar fare. Kemi pasur një stërzgjatje të tij prej vitit 2011 kur ka filluar e me suksese të herëpashershme por me stagnime më të thella e më të gjata. Tash, për shkak të situatës së sigurisë në Evropë, e cenuar kjo si pasojë e invazionit rus në Ukrainë, kemi një kthim të jashtëzakonshëm të interesimit të ShBA-ve për rajonin e pastaj edhe të BE-së më të njëjtin intenzitet. Kjo është pozitive. E ardhmja evropiane për vendet e Ballkanit kur merret dhe kuptohet seriozisht dhe e sigurtë, është forca më e madhe transformative të politikave dhe shoqërive të vendeve të Ballkanit. Në këtë drejtim dhe me këtë qëllim e shoh edhe përfshirjen e ShBA-ve veçanërisht por edhe nxitjen për dialog intensiv e marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë”, u shpreh Ymeri.

Pas takimit Kurti-Vuçiq, të shtunën, përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Joseph Borrell, tha para medieve se “Kosova është pajtuar të fillojë menjëherë, kur them menjëherë e nënkuptoj që menjëherë do të aranzhojë, rregullimet për të siguruar një nivel të mirëfilltë të vetë-menaxhimit të komunitetit serb në Kosovë”.

Deri më tani, Kurti i ka ikur shpjegimit për gazetarët se çka do të thotë “vetëmenaxhim”. Por, atij do t’i duhet të japë më shumë shpjegime më 23 mars në Kuvendin e Kosovës, kur do të raportojë për takimin në Ohër.

Ndërkohë analistë të njohur për qëndrimet mbështetëse për pushtetin përkrahësit e tij janë munduar ta relativizojnë termin “vetëmenaxhim”, duke pretenduar se është më “i butë” sesa Asociacioni.

PSD-ja ka thënë se Kurti, i cili dikur Asociacionit ia kishte vënë emrin “Zajednicë”, tani po bën akrobacione gjuhësore, duke e quajtur “vetëmenaxhim”, pasi do t’i duhet ta zbatojë vetë. Kjo parti ka shkruar sot sloganin “Albin Zajednica” në ndërtesat qeveritare dhe në sheshet e Prishtinës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme