Ymeri: Astriti pa asnjë fakt u mbajt në burg derisa ndërroi jetë

Prishtinë | 19 Jan 2017 | 08:38 | Nga

Shitësi prej të cilit pretendohet se ka blerë motoçikletën Astrit Dehari, ku akuzohej se në muajin gusht të 2016 me të kreu sulmin në Kuvendin e Kosovës, nuk e ka identifikuar atë si të dyshuar në lidhje me rastin.

Kështu ka thënë Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje! Visar Ymeri në Zona B të Klan Kosovës, duke shtuar se shitësi nuk e njohu Astrit Deharin në pamjet e publikuara kur ai u ftua në intervistë nga autoritetet.

Veç tjerash Ymeri tha poashtu se shitësi i marketit në fjalë ka identifikuar tre persona të cilët kishin theks të rajonit të Rahovecit, duke pohuar se asnjëri nga aktivistët e subjektit të tij nuk vijnë nga ai vend, njofton Klan Kosova.

”Ato që ka paraqitur Dardani, ka qenë vendndodhja e aktivistëve të arrestuar, në momentin kur është sulmuar Kuvendi”.

”Në atë moment aktivistët tanë kanë qenë secili në vende të ndryshme, asnjëri nuk ka qenë bashkë me njëri-tjetrin”.

”Meqenëse është ngritur aktakuza, prokuroria vendosi që secila provë të dorëzohet avokatëve mbrojtës, por aty shihet se nuk ka asnjë provë”.

”Aty shihet se kur është bërë ADN-ja në vendin e ngjarjes, nuk ka asnjë përputhje me ADN-të e aktivistëve tanë”.

”Më skandalozja që kemi zbuluar është se arrestimi i aktivistëve në mesin e tyre dhe Astrit Dehari, nuk ka pasur asnjë provë për të”.

”Personi që pretendon se ka shitur motocikletë u ka shitur tre personave për të cilët thotë se kishin theks të Rahovecit. Asnjëri nga aktivistët tanë nuk janë nga Rahoveci”.

”Kur ai person është ftuar për intervistë, ai nuk e ka identifikuar Astrit Deharin si blerës të motoçikletës”.

”Astriti është mbajtur pa asnjë fakt në burg derisa ka ndërruar jetë”.

”Ta fusësh në burg një student pa asnjë provë dhe asnjë fakt, ta terrorizosh atë dhe familjen, e më pas edhe të vdes në burg është skandal”, ka përfunduar Ymeri

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme