Kryeministri Zoran Zaev, në një intervistë për Deutche Welle në maqedonisht e vlerësoi si “historik” vendimin e BE-së për datën e fillimit të negociatave për anëtarësim të Maqedonisë dhe Shqipërisë, duke vlerësuar se konsolidimi i BE-së do të përfundojë kur Unioni do ta pranojë Ballkanin Perëndimor.
I pyetur se ekzistojnë interpretime të ndryshme të vendimit të Komisionit Evropian dhe se Qeveria pretendonte se bëhet fjalë për një moment historik, ndërsa kritikët vlerësojnë se bëhet fjalë për edhe një anulim dhe zhgënjim për Maqedoninë, Zaev vlerëson se “nuk ka ndonjë përshkrim tjetër të vendimit, përveç faktit që është historik “.
“Ne kemi marrë një datë për negociata – qershor 2019. Deri atëherë, së bashku me miqtë dhe partnerët tanë nga Komisioni Evropian, do të punojmë së bashku për të përmbushur kriteret, përkatësisht zbatimin e fazave të Marrëveshjes me Greqinë dhe finalizimin e reformave. Ne jemi shumë afër qëllimit tonë për arritjen e standardeve të BE-së”, tha Zaev./portalb.mk