Sot 22 vjet më parë, kombi ynë përjetoi një nga goditet më të mëdha. Humbi komandantin dhe dy personalitete më domethënëse të luftës për liri dhe pavarësi.
Kështu u tha në akademinë përkujtimore, ku me nderime të larta u vlerësuan heronjtë Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu dhe Edmond Hoxha, në 22 vjetorin e rënies së tyre, raporton Ekonomia Online.
Ish komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, përkujtoi heronjtë duke i cilësuar si emblemë të luftës për lirinë e vendit.
“Lufta e UÇK përfundimisht hapi rrugën dhe perspektivën për jetë më të mirë të shqiptarëve në trojet e veta në gadishullin ilirik. Lufta çlirimtare në dhjetëvjeçarin e fundit të shekullit 20 është ngjarje me ndikim në marrëdhëniet ballkanike, evropiane e botërore. Komandanti Zahir Pajziti ishte strategu më i shquar i UÇK-së. Mbi të gjitha ishte personalitet emblemë i luftës për liri”, u shpreh Mustafa.
Komandant Remi shtoi se Zahir Pajaziti, ishte organizator i ushtrisë, anëtar dhe nga themeluesit e shtabit të UÇK-së brenda vendit.
Ai e quajti Pajazitin si figura qendrore dhe identifikuese e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ndërsa për Zejnullahun dhe Hoxhën, tha se asgjë nuk i ndali në misionin e tyre të shenjtë.
“Nismat e tij ishin të çmuara. Si i tillë komandanti do mbetet gjithmonë në historinë tonë kombëtare shqiptare. Madhështia e rënies së heroit tonë është rënia e tij përkrah dëshmorëve Haki Zejnullahu dhe Edmond Hoxha. Ishte domethënës besimi që Hakiu kishte krijuar tek shokët. Edmond Hoxha është dëshmi e tejkalimit e rretheve të UÇK dhe sinonim i madhështisë të UÇK. Haki Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën asgjë nuk i ndali në misionin e tyre të shenjtë. Rënia e tyre u bë dritë për kombin dhe lirinë. Jemi me fat që po ndërtojmë vendin tonë drejt të ardhmes të ndritur në bashkëpunim me miqtë tanë”, shtoi Mustafa.
Ndërsa, Sabit Syla, drejtor i Institutit të Historisë, duke kujtuar luftën e UÇK-së, tha se ajo ishte e mbështetur në mendje të mëdha ideore të tilla si ato të tre heronjve.
Sipas Sylës, rënia e tyre ishte sa heroike edhe krenare në mbrojtjen e identitetit dhe krenarisë kombëtare.
“Për një kohë lufta çlirimtare ra ndesh me filozofinë dhe politikën e kohës. Më vonë u ndryshua, dalja e UÇK-së prishën status qon. Lufta e UÇK-së ishte e mbështetur në mendje të mëdha ideore. Mbështetur në këtë madhështi të heronjve siç ishte Zahir Pajaziti me luftëtarë të tij, u arrit çlirimi dhe liria”, tha Syla.
Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, tha se duhet të bëhet më shumë që kujtimi të mbetet i gjallë për brezat e tjerë.
“Duhet të bëhet më shumë që kujtimi për ta dhe lufta që bën të mbetet e gjallë edhe për breza të tjerë. Ka aq shumë rënie krenare sa duhet të bëjmë më shumë që kjo të mbetet gjallë edhe per breza me radhë”, tha Gucati.
Fakete Hoxha, motra e Edmond Hoxhës, iu drejtua të pranishmëve, udhëheqësve të vendit që të jenë bashkë për të mirën e Kosovës ashtu si dikur që ishin bashkë për lirinë e saj.
“Prapë sot më duket se kanë një porosi, kthehuni para 22 viteve ata që ishit, kujtoni edhe sot. Kthehuni tek vetja, kujtojeni karakterin tuaj për Kosovën dhe vendosni sot siç keni qenë atëherë së bashku”, tha Hoxha.
Zahir Pajaziti u vra bashkë me Hakif Zejnullahun dhe Edmond Hoxhën.
Pajaziti ishte një ndër komandantët më të shquar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më 31 janar 2008, në 11 vjetorin e rënies, ish -Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu i akordoi Zahir Pajazitit dekoratën më të lartë shtetërore të Kosovës, Urdhrin ‘Hero i Kosovës’.