Cristiano Ronaldo pritet të rikthehet së shpejti në ndeshjet e Al-Nassr, pasi raportet nga Arabia Saudite e kanë zbuluar datën e mundshme kur kapiteni i skuadrës do të jetë sërish në dispozicion pas një periudhe të gjatë jashtë fushave.
Ylli i Portugalisë u rikthye në stërvitjet e Al-Nassr javën e kaluar, duke i dhënë fund një mungese prej më shumë se një muaji, e cila kishte nisur pas eliminimit të Portugalisë nga Kupa e Botës 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
Sipas gazetës saudite Al-Riyadiah, trajneri i përgatitjes fizike të Al-Nassr po punon për ta rikthyer Ronaldon në formën optimale për ndeshjet e ardhshme, pasi portugezi ka humbur dy sfidat e para të sezonit të ri.
Ronaldo mungoi në ndeshjen hapëse të Al-Nassr në Roshn League, ku skuadra fitoi 3-0 ndaj Al-Fateh të shtunën e kaluar, ndërsa nuk do të jetë i gatshëm as për përballjen e sotme ndaj Al-Diriyah në raundin e 1/16-ve të King Cup.
Pas përballjes me Al-Diriyah, Al-Nassr do të udhëtojë për t’u përballur me fqinjët e Al-Riyadh, të premten e ardhshme, në ndeshjen e dytë të sezonit në Roshn League.
Pikërisht kjo ndeshje mund ta shënojë rikthimin e shumëpritur të Cristiano Ronaldos në fushë.
Sipas raportimeve, Ronaldo nuk ka humbur shumë nga forma e tij gjatë periudhës larg stërvitjeve me ekipin.
Programi fizik që po e ndjek aktualisht po e afron gjithnjë e më shumë me rikthimin në ndeshje.
Portugezi pritet ta zhvillojë një seancë 90-minutëshe të përgatitjes fizike sot pasdite në qendrën stërvitore Dar Al-Nassr në Riad, në kuadër të përgatitjeve për rikthimin e tij gjatë javëve të ardhshme.
Ronaldo ishte një nga figurat kryesore në triumfin e Al-Nassr në Roshn League sezonin e kaluar, duke e ndihmuar klubin ta fitonte titullin pas një pritjeje shtatëvjeçare.
Tani, objektivi i madh i portugezit është ta udhëheqë Al-Nassr drejt trofeut të parë në AFC Champions League Elite.
Nëse rikuperimi vazhdon sipas planit, ndeshja ndaj Al-Riyadh më 21 gusht mund të jetë ajo që do ta rikthejë Cristiano Ronaldon në aksion.