Zeka: Rritja ekonomike këtë vit do të jetë 4.2% – Por baza ekonomike e Kosovës është e ulët, andaj nevojitet rritje dyshifrore

Prishtinë | 10 Jan 2024 | 07:55 | Nga Gzim Mujaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK), Arian Zeka, në një bisedë me Ekonomia Online ka thënë se rritja ekonomike për vitin 2024 pritet të jetë rreth 4.2 për qind – që është ndër më të lartat në Ballkanin Perëndimor. Por, Zeka thekson se baza ekonomike e Kosovës është e ulët dhe do të nevojitej rritje dyshifrore për të zënë hapin me vendet e rajonit.

Zeka ka thënë se Kosova e ka mbyllur vitin 2023 me një normë të inflacionit rreth 4 për qind, që mund të duket e ulët. Por, ai ka shpjeguar se krahasimet bëhen në baza vjetore që do të thotë se inflacioni prej periudhës së para pandemisë edhe para shpërthimit të luftës në Ukrainë, megjithatë është shumë i lartë dhe rrjedhimisht vazhdojmë të ballafaqohemi me këto çmime të larta të produkteve.

Sipas tij, Kosovës i nevojitet një strategji gjithëkombëtare për zhvillimin ekonomik e ku në të duhet që të përfshihen të gjithë “hisedarët”.

“Me sinqeritetin më të madh e them që realisht ekonomia nuk duket që të jetë prioritet i as njërës prej qeverive që i kemi pasur prej viti 99 e tutje, sidomos pre viti 2008 e tutje prej kur Kosova është shtet i pavarur. Realisht duket që këtu çalojmë mungesa e një strategji gjithëkombëtare për zhvillimin ekonomik e cila do të jep drejtim zhvillimeve që lidhen me ekonominë edhe aspektin social, duket që po e gjymton vendin do të thotë në këtë aspekt”.

“Besoj që qeveria, vitin 2024 duhet ta caktojë me të vërtetë që zhvillimi ekonomik të trajtohet me prioritet. Megjithatë duke pasur parasysh gjatë tërë kohës që zhvillimi ekonomik nuk është vetëm përgjegjësi e institucioneve të vendit, por në këtë aspekt duhet që të përfshihen në komunikim së paku edhe hisedarët e tjerë joinstitucionalë, profesorë universitarë, ekspertë të ekonomisë, përfaqësues të instituteve të ekonomisë; dhe më e rëndësishmja ata të cilët realisht përfaqësojnë interesat e atyre që janë bartës ose janë motor i zhvillimit ekonomik të vendit – pra sektori privat, e që janë Odat Ekonomike edhe Asociacionet e Biznesit. Një dialog i tillë ndërmjet sektorit publik edhe sektorit privat ka munguar përgjatë viteve të fundit e sidomos me këtë qeveri”, ka thënë ai.

Zeka ka thënë se rritja ekonomike për këtë vit pritet që të jetë 4.2 për qind nëse shteti aktivizon shtyllat kryesore të cilat mundësojnë rritjen ekonomike të vendit, e që sipas tij janë investimet kapitale edhe ruajtjen e konsumit.

Ai ka thënë se Kosova vazhdon që të ketë njërën prej normave më të larta të rritjes ekonomike në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimore, por që sipas tij, kjo normë e rritjes ekonomike nuk i mundëson vendit që të zërë hapin me zhvillimet e kontinentit të Evropës.

“Nuk kemi asnjë arsye të mos besojmë që parashikimet e Bankës Qendrore të Kosovës nuk do të realizohen në fund të këtij viti. Edhe ne presim që të kemi një rritje ekonomike prej 4.2 për qind për aq kohë sa përdoren ose aktivizohen shtyllat kryesore të cilat mundësojnë rritjen ekonomike të vendit. Sipas të gjitha raporteve të organizatave ndërkombëtare, por natyrisht edhe raporteve të brendshme, këto shtylla ekonomike të vendit përfshijnë investimet kapitale edhe natyrisht ruajtjen e konsumit, ani pse kjo mund të mos jetë ndoshta shtylla e cila garanton një zhvillim të qëndrueshëm. Megjithatë janë dy prej aspekteve të cilat është bazuar zhvillimi ekonomik i vendit në vitet e fundit”.

“Për të qenë me objektiv duhet përmendur faktin që Kosova vazhdon që të ketë njërën prej normave më të larta të rritjes ekonomike në mesin e shteteve të Ballkanit Perëndimor, por në të njëjtën kohë duhet të vazhdojmë edhe të japim edhe informata të tjera për publikun që kjo normë e rritjes ekonomike nuk i mundëson vendit që të zërë hapin me zhvillimet e rajonit, po flas për kontinentin e Evropës meqenëse jemi shumë mbrapa. Baza ekonomike e Kosovës është relativisht e ulët edhe pastaj çfarëdo norme e rritjes ekonomike nën normat dyshifrore nuk garanton zhvillim të përshpejtuar ekonomik”, u shpreh ai.

Drejtori i OEAK-ut ka thënë se vendi e ka mbyllur vitin 2023 me një normë prej diku rreth 4 për qind të inflacionit, por çmimet janë duke vijuar që të jenë të larta.

Sipas tij, presioni mbi çmimet është njëri prej indikatorëve problematikë të rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe të Kosovës.

“Po i referohem të dhënave zyrtare të publikuar nga ASK-ja për vitin e kaluar do të thotë që Kosova mbylli vitin me një normë prej diku rreth 4 për qind të inflacionit, por megjithatë çmimet vijon të jenë të larta. Pra presioni mbi çmimet vazhdon të jetë jashtëzakonisht i lartë, kjo është thënë edhe një një raport të Bankës Botërore të viti të kaluar i cili flet për perspektivën ekonomike të Ballkanit në përgjithësi, por pastaj edhe të shteteve individuale në veçanti përfshirë këtu edhe Kosovën. Ku presioni mbi çmimet përmendet si njëri prej indikatorëve problematikë të zhvillimit ekonomik ose të rritjes ekonomike të vendeve të Ballkanit Perëndimor edhe të Kosovës, në veçanti”.

“Duhet sqaruar me teje norma prej 4 për qind e inflacionit vjetor mund të duket e ulët, por krahasimet bëhen në baza vjetore që do të thotë që inflacioni prej periudhës së para pandemisë edhe para shpërthimit të luftës në Ukrainë, megjithatë është shumë i lartë edhe rrjedhimisht ne ballafaqohemi me këto çmime të produkteve të cilat vijojnë të jenë të larta. Assesi nuk shohim ndonjë trend të uljes së tyre aq më tepër në masën në të cilin ato ishin para pandemisë”, theksoi ai.

Zeka ka thënë se çmimet janë duke mbetur të larta edhe pse inflacioni ka vazhduar që të bjerë, për shkak të çrregullimeve në zinxhirët e furnizimit global.

E sipas tij, Kosova ka një bazë të ulët të prodhimtarisë dhe i nënshtrohet më tepër çmimeve të larta edhe inflacionit me qenë se në masë të madhe importohet pothuajse gjithçka.

“Janë këto çrregullimet në zinxhirët e furnizimit global me të cilat vazhdojnë të ballafaqohemi edhe ne, sikurse dhe shtetet e tjera. Fatkeqësisht edhe konfliktet e tjera që po shpërthejnë edhe problemet e tjera të cilat po e pengojnë tregtinë ndërkombëtare edhe prodhimin e mallrave në të njëjtën kohë, nuk duket se kanë të ndalur. Edhe rrjedhimisht po ndikojnë edhe në këto çmime të larta. Kosova duke pasur një bazë të ulët të prodhimtarisë natyrisht që i nënshtrohet më tepër çmimeve të larta edhe inflacionit me qenë se në masë të madhe importojmë pothuajse gjithçka”, u shpreh ai për EO.

Të ngjashme