Zelensky: Ukraina goditi një ndërmarrje ushtarake kyçe në territorin rus

Prishtinë | 24 Kor 2026 | 16:23 | Nga Ekonomia Online

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë të ditur se Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës kanë goditur një nga ndërmarrjet kryesore ushtarake në rajonin Kirov të Rusisë, e cila, sipas tij, furnizon ushtrinë ruse me komponentë për sistemet e aviacionit dhe raketave.

Përmes një reagimi të publikuar në rrjetet sociale, Zelensky e cilësoi operacionin si një përgjigje të justifikuar ndaj sulmeve ruse dhe falënderoi forcat ukrainase për realizimin e tij.

“Forcat e Mbrojtjes së Ukrainës goditën sot një nga ndërmarrjet kryesore ushtarake në Kirov të Rusisë. Ajo furnizon komponentë për avionët dhe sistemet raketore të pushtuesit, të cilat përdoren, ndër të tjera, në sulmet masive kundër qyteteve dhe komuniteteve tona”, ka shkruar Zelensky.

Ai bëri të ditur se sulmet me rreze të gjatë kanë shënuar rezultate edhe ndaj një objekti të industrisë së naftës, rreth 1 mijë e 350 kilometra larg, si dhe ndaj objektivave të tjera strategjike.

Sipas presidentit ukrainas, operacionet që synojnë logjistikën ushtarake ruse, përfshirë furnizimin me komponentë për dronë, pajisje navigimi dhe mjete të tjera ushtarake, do të vazhdojnë.

Në fund të reagimit të tij, Zelensky falënderoi njësitë e Forcave të Armatosura të Ukrainës, shërbimet e inteligjencës dhe Shërbimin e Sigurisë së Ukrainës për angazhimin në këto operacione, duke e mbyllur mesazhin me fjalët: “Lavdi Ukrainës!”.

Të ngjashme