Zemaj: E kam lutur kryeministrin që të punojë në menaxhimin e situatës pandemike

Prishtinë | 11 Gus 2021 | 18:08 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se thirrja e opozitës që situata pandemike në Kosovë të menaxhohet më mirë, ka hasur në vesh të shurdhër.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë telefonike në emisionin “Frontal” në T7, Zemaj ka thënë se e ka lutur kryeministrin Albin Kurti që t’i kthehet punëve në luftën kundër virusit Covid-19.

“Thirrja jonë sidomos kohëve të fundit për vetëdijen e menaxhimit të situatës pandemike ka hasur në vesh të shurdhër. Edhe në aspektin profesional, para disa ditësh e kam lutur kryeministrin e Kosovës që t’i kthehet punëve, ose së pari të kthehet dhe të punojë në menaxhimin e situatës pandemike sepse varianti i ri Delta është përhapur në botë dhe Evropë”, ka thënë Zemaj.

Më tutje, Zemaj tha se bazuar në numrin e rasteve që janë shënuar sot në Kosovë, në vend numri i të infektuarve është trefish më i lartë.

“Qytetarët duhet ta dinë që ne e kemi një popullatë e cila në përqindje të madhe ka kaluar përmes procesit të infektimit. Poashtu nja 10% e popullatës edhe kjo me një neglizhencë të theksuar tashmë janë vaksinuar. Numri prej 888 të infektuar përveç sot, kur përkthehet në shifra reale është trefishi i infeksionit që është duke qarkulluar në Kosovë”, ka thënë ai.

Të ngjashme