Zemaj ia hedh VV’së: Të mos përdoret politikisht situata me COVID-19 dhe të mos manipulohet me numrin e vdekjeve

Prishtinë | 31 Kor 2020 | 15:20 | Nga Ekonomia Online

Vetëm një ditë pasi pati pretendime se situata në Spitalin e Përgjithshëm në Gjakovë ka dalë jashtë kontrollit dhe debatit për numrin e vdekjeve, Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka vizituar këtë spital.

Zemaj ka bërë thirrje për kujdes të shtuar që të mos rëndohet sistemi shëndetësor, derisa ka apeluar që kjo situatë të mos përdoret politikisht dhe që të mos manipulohet me numrin e të vdekurve.

“Që ky sistem të mos rëndohet, bëj thirrje që të ketë kujdes të shtuar dhe gjithashtu apeloj që kjo situatë të mos përdoret politikisht dhe të mos manipulohet me numrin e vdekjeve. Beteja jonë politike nuk duhet të bëhet në situatë të tillë fragjile”, ka shkruar Zemaj.

Ai u ka shprehur ngushëllime familjeve të tre personave që vdiqën dje.

“Dje, në komunën e Gjakovës, fatkeqësisht janë shënuar 3 viktima, familjeve të të cilëve ju shpreh ngushllimet e mia më të sinqerta. Në mesin e viktimave ishte edhe mjeku dhe anëtari i Kuvendit të Odës së Mjekëve të Kosovës, z. Kujtim Zarari. Të gjitha humbjet janë të dhimbshme, por kur humbin njerëzit e vijës së parë në front, dobësohet i gjithë sistemi që po lufton çdo ditë për të na shpëtuar”, ka shkruar Zemaj.

Ndryshe, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Agon Batusha ka shkruar dje se pesë persona kanë vdekur nga koronavirusi në spitalin e Gjakovës për dy orë.

Batusha ka shkruar në Facebook se situata me koronavirusin është jashtë çdo kontrolli.

“5 vdekje nga COVID-19 brenda dy orësh në Spitalin e Gjakovës. Situata është jashtë çdo kontrolli”, ka shkruar ai./

Të ngjashme