Zemaj: Për SHSKUK-në planifikohen 120 punësime në vitin 2027, ndërsa 91 specialistë janë të papunë

Prishtinë | 19 Nën 2026 | 19:40 | Nga Ekonomia Online

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, ka kritikuar planifikimin e punësimeve në Shërbimin Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) për vitin 2027, duke thënë se në kohën kur janë 91 mjekë specialistë të papunë, janë planifikuar vetëm 120 punësime për të gjitha kategoritë e punëtorëve shëndetësorë.

Përmes një postimi, Zemaj ka theksuar se këto 120 vende pune nuk janë të dedikuara vetëm për mjekët, por përfshijnë edhe infermierët, stafin profesional dhe atë teknik.

“120 punëtorë të rinj për SHSKUK-në gjatë vitit 2027, ndërkohë që aktualisht janë 91 mjekë specialistë të papunë.

Dhe këta 120 punëtorë përfshijnë të gjitha kategoritë: mjekë, infermierë, staf profesional dhe staf teknik”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka vënë në pah se ky planifikim bëhet në një kohë kur dhjetëra mjekë specialistë janë në pritje të punësimit.

“Pra, ky është planifikimi i punësimeve për vitin 2027, në një kohë kur 91 mjekë specialistë presin një vend pune.

Kjo është përkrahja që po u ofrohet mjekëve specialistë dhe shëndetësisë publike në Kosovë!”, ka deklaruar Zemaj.

Të ngjashme