Zemaj: Situata me Covid-19 është nën kontroll, por masat mbrojtëse duhet zbatuar

Prishtinë | 07 Qer 2020 | 22:27 | Nga Ekonomia Online

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, tha sonte në një konferencë për medie se gjendja aktuale me Covid-19 në Kosovë është brenda asaj që ishte parashikuar me lirimin gradual të masave, por bëri thirrje për një kujdes të shtuar nga qytetarët dhe veprimtaritë e lejuara, për të mos u rritur numri i të prekurve pasi që virusi është ende aktiv.

“Sot, së bashku me ekspertët e IKSHPK-së dhe Inspektoratin Sanitar e Shëndetësor e bëmë një kalim ditor të gjendjes aktuale dhe një qartësim të gjendjes. Konstatojmë se gjendja është normale. Ajo që duhet të bëjmë është të ruajmë distancën dhe të mbajmë pastërtinë. Ky është një mesazh dhe një lutje. Qysh sot do të shtojmë intensitetin e kontrolleve dhe të kujdesit, me qëllim që të mos lejojmë një përkeqësim të situatës”, tha ai.

Ministri Zemaj i bëri këto deklarime sonte, kur IKSHPK ka regjistruar 40 raste pozitive me Covid-19 dhe 8 të shëruar dhe në prag të fillimit të masave të reja siç është hapja e kufijve.

“MSh-ja ka marrë vendim që qysh nesër të kemi lëvizje të lirë. Është interes i joni. Ta lehtësojmë ardhjen bashkatdhetarëve dhe ta ruajmë shëndetin. T’u ndihmojmë bizneseve, t’u ndihmojnë familjeve që të kalojmë së bashku këtë situatë. Paniku e dëmton zhvillimin e Republikës së Kosovës dhe u ndihmon individëve në dëmtimin e shëndetësisë kosovare”, tha ai.

Thirrje për kujdes kanë bërë edhe drejtori i IKSHPK-së, Naser Ramadani, dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.

Në konferencë u tha se monitorimet dhe kontrollet rreth zbatimit të masave do të jenë më të shtuara, derisa u kërkua që të përdoren domosdoshmërisht maskat mbrojtëse, të ruhet distanca fizike dhe të mbahet higjiena pers0nale e kolektive për mbrojtje nga virusi.

Të ngjashme