Zgjedhjet lokale në Maqedoni, opozita nuk njeh rezultatin

Prishtinë | 30 Tet 2017 | 09:30 | Nga

Gruevski i vlerësoi si të parregullta zgjedhjet lokale duke theksuar se ka pasur “shumë trysni, kërcënime mbi votuesit” dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare

Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, në konferencën e sotme për shtyp njoftoi se partia e tij nuk i pranon rezultatet e zgjedhjeve lokale në Maqedoni, raporton Anadolu Agency (AA).

Gruevski i vlerësoi si të parregullta zgjedhjet lokale duke theksuar se ka pasur “shumë trysni, kërcënime mbi votuesit” dhe kërkoi mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat do të zbatohen nga një qeveri teknike.

“Gjatë ditës së sotme u regjistruan shumë parregullsi, trysni nga ana e personave me uniformë dhe pa uniformë”, tha Gruevski, duke shtuar se nuk ka pasur zgjedhje korrekte dhe demokratike dhe sipas tij procesi zgjedhor ka kaluar me “kërcënime, dhe blerje të madhe votash.”

Për shkak të arsyeve në fjalë, lideri i VMRO-DPMNE-së bëri të ditur se kjo parti politike nuk i pranon zgjedhjet lokale. Ai më pas kërkoi organizim të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në pajtim me modelin e Përzhinës, të cilat do të zbatohen nga një qeveri teknike njëjtë siç u organizuan më 11 dhjetor të vitit 2016, ndërrim urgjent të drejtorit të Agjencisë për Shërbime Mediale Audio-Audiovizuale dhe emërim të drejtorit nga radhët e opozitës, dorëheqje të kryetarit të Komisionit Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) Aleksandar Çiçakovski dhe kthimin e vendimit të vjetër ligjor nga radhët e opozitës.

Në mesin e kërkesave që i njoftoi Gruevski ishin edhe hetimi urgjent dhe ekspertizë e pajisjeve për përgjim në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) për shkak të dyshimit, siç tha ai, se përgjohen së paku 100 persona nga VMRO-DPMNE, përfundimin e gjykimit të Zaevit për rastin “ryshfeti”, themelimin e Prokurorisë Publike Speciale, që do të ketë autoritetin për pastrimin e parregullsive zgjedhore në vitin 2016 dhe 2017 për shkak të, siç tha, keqpërdorimit të tërë aparatit shtetëror, si dhe lirimit urgjent të personave dhe ndërprerjen e procedurave për të gjithë të akuzuarit dhe të dyshuarit për ngjarjet e 27 prillit në Kuvend.

LSDM: Fitore e madhe e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë

Kryetari i partisë në pushtet, Lidhja Socialdemokratike e Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, në fjalimin e tij pas mbylljes së vendvotimeve theksoi se zgjedhjet e sotme lokale janë fitore e madhe për të gjithë qytetarët e Maqedonisë duke porositur se zgjedhjet kanë qenë korrekte, demokratike dhe të rregullta.

“Kjo është fitore e madhe për qytetarët e Republikës së Maqedonisë, kjo është festë për demokracinë. Kishim zgjedhje korrekte dhe demokratike. Rezultati ishte i pritshëm, për kundërshtarët tanë politike, por edhe për qytetarët”, tha Zaev.

Ai porositi që VMRO-DPMNE ta rishqyrtojë qëndrimin e saj për mosnjohjen e procesit zgjedhor për të cilin tha se kaluan në atmosferë korrekte dhe demokratike.

BDI: Zgjedhjet ishin demokratike, qytetarët lirshëm shprehën vullnetin e tyre

Vlerësimi i Bashkimit Demokratik për Integrim është se zgjedhjet kanë qenë demokratike, ndërsa qytetarët lirshëm shprehën vullnetin e tyre. Këtë e theksoi shefi i shtabit zgjedhor të partisë Arbër Ademi pas mbylljes së vendvotimeve në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale.

“Qeveria e Republikës së Maqedonisë tregoi kapacitet demokratik për organizimin e zgjedhjeve demokratike”, tha Ademi.

BESA: Dita e zgjedhje kaloi me një varg parregullsish

Lëvizja BESA akuzoi për një varg parregullsish gjatë votimit të sotëm për raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, të cilat, sipas tyre, kaluan në atmosferë të tensionuar.

Faton Fazliu nga BESA pas mbylljes së vendvotimeve vlerësoi se votimi ka qenë me një sërë parregullsish dhe në atmosferë tensionuese.

Ndryshe, raundi i dytë i zgjedhjeve lokale u zbatua në 35 komuna, të 1.517 vendvotime ku të drejtë vote kanë pasur 833.710 qytetarë.

Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) njoftoi se sipas 99.21 për qind të të dhënave të përpunuara, pjesëmarrja në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale deri në orën 17:00 është 43.83 për qind.

Këto janë zgjedhjet e gjashta lokale në Republikën e Maqedonisë pas pavarësisë së saj. Të parat u mbajtën në vitin 1990, pastaj në vitin 1996, në vitin 2000, në vitin 2005, në vitin 2009 dhe të fundit në vitin 2013.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme